Arti ka fuqinë e papërsëritshme që të flasë me gjuhën e secilit. Arti informon, frymëzon dhe bashkon njerëz nga e gjithë bota.
ACT – Artistët Krijojnë së Bashku, një projekt i zhvilluar në 5 shtete të ndryshme, vjen edhe në Shqipëri, për të frymëzuar të rinjtë përmes artit dhe kulturës.
Përmes formave të ndryshme të artit, muzikës, historive frymëzuese, muraleve, artistë model dhe të rinj shqiptarë arritën të përçonin mesazhe dhe vlera brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Në përmbylljen e këtij projekti, të mbështetur nga Ministria e Jashtme Holandeze, Qendra Act for Society, implementuese e projektit për Shqipërinë, ka organizuar një konferencë virtuale, ku kontribuuesit e projektit ndanë eksperiencat e këtij rrugëtimi të veçantë, ku ndezën skenat, pikturuan murale, organizuan takime për të rinjtë dhe me të rinjtë, duke tërhequr sa më shumë interesin e të rinjve dhe jo vetëm.
ACT konsiston në 4 shtylla të rëndësishme: Artistë model që frymëzojnë të rinjtë, ku përmes një performance të jashtëzakonshme, këngëtarja shqiptare Olta Boka dhe artisti holandez Roel Van Velsen bën thirrje për paqe dhe dialog. Storytelling- 800 vajza nga 5 shtete të ndryshme ndanë historitë e tyre frymëzuese, treguan për pritshmëritë dhe frikërat e tyre, si dhe ëndrrat për një të ardhme më të sigurt. Walls of connections – fuqia e vizualizimit përmes muraleve, për të shprehur ëndrrat e të rinjve brenda një komuniteti. Janë krijuar 40 murale në 5 shtete të ndryshme që vizualizojnë ëndrrat për një të ardhme më të mirë. Si dhe janë zhvilluar samite, konferenca dhe workshope me të rinjtë për të diskutuar mbi krijimin e një të ardhme të qëndrueshme për të gjithë”.
Projekti ka gjetur mbështetje edhe nga Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë, Bashkia Tiranë, Bashkia Pogradec, Qendrat Rinore në Tiranë dhe Pogradec, si dhe Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë.