Seksioni “Hapësirat e jashtme” e vendos vëmendjen në ato aspekte të cilat shoqërojnë mirërritjen e fëmijëve, siç janë: hapësirat për aktivitetet argëtuese dhe hapësirat e mjediseve përreth godinës për aktivitetin e përditshëm operacional të një institucioni përkujdesës.
Në pjesën e parë të këtij seksioni janë trajtuar evidencat e identifikuara gjatë monitorimit të hapësirave të lojërave për fëmijët. Gjatë monitorimit u vunë re gjetjet e mëposhtme:
1. 17% e kopshteve të monitoruara (nga të cilat 2 janë të nismës “Adopto një kopsht”) nuk kanë mure ndarëse për të kufizuar ambientet e tyre të jashtme, ashtu siç kërkohet nga Standardet e Projektimit të Kopshteve.
2. 13 nga 41 kopshtet e monitoruara (nga të cilat 3 kopshte janë të nismës “Adopto një kopsht”) nuk kanë lodra në ambientet e tyre të jashtme për fëmijët. 4 kopshte të tjera (nga të cilat 2 kopshte janë të nismës “Adopto një kopsht”) kanë lodra të pamjaftueshme për numrin e fëmijëve të pranishëm në institucion.
3. Është e rëndësishme të theksohet se, kopshti nr. 64 “Xixëllonjat” , kopshti “Bregu i Lumit” (pjesë e nismës “Adopto një kopsht”) kanë lodra që nuk janë të përshtatshme për fëmijët në këto grupmosha, duke cenuar sigurinë e tyre.
4. 10 nga kopshtet e monitoruara nuk kanë gjelbërim dhe bimësi të shkurtër në mjediset e lojërave. 3 prej këtyre kopshteve që nuk kanë gjelbërim janë të nismës “Adopto një Kopsht”.
5. 39% e kopshteve (nga të cilat 6 kopshte janë të nismës “Adopto një kopsht”) nuk kanë stola për fëmijë në hapësirat e jashtme.
6. 11 (nga të cilat 4 kopshte janë të nismës “Adopto një kopsht”) nga kopshtet e monitoruara nuk ofrojnë hije në mjediset e lojërave.
7. 50% e kopshteve të qytetit të Tiranës (nga të cilat 11 kopshte janë të nismës “Adopto një kopsht”) nuk ofrojnë akses për makinat që furnizojnë kopshtin materiale të ndryshme.
8. 50% e kopshteve të monitoruara (nga të cilat 16 kopshte janë të nismës “Adopto një kopsht”) nuk ofrojnë akses për karrocat e fëmijëve.
9. 86% e kopshteve të qytetit të Tiranës të monitoruara (nga të cilat 21 kopshte janë të nismës “Adopto një kopsht”) nuk ofrojnë akses për personat me aftësi të kufizuara.