Media e rrezikshme, të rinjtë sjellje dhe modele negativë

Fëmijët dhe adoleshentët duhet të kenë kontroll në kohën që kalojnë në media si edhe në përzgjedhjen e programeve dhe filmave që ata shikojnë. Lediona Asabella, pedagoge e jashtme pranë Fakultetit të Shkencave Sociale dhe punonjëse e shërbimit psikologjik shkollor pranë DART shpjegon për “Shëndet Plus” rreth këtij fenomeni.
Si ndikon në psikologjinë e të rinjve media në përgjithësi?
Media është një burim informacioni shumë i fuqishëm në ditët e sotme dhe si i tillë sigurisht që është i rëndësishëm edhe për fëmijët dhe të rinjtë. Në këto dhjetëvjeçarët e fundit jemi mësuar me idenë që të rinjtë e kërkojnë dhe e gjejnë informacionin qe u nevojitet ne forma nga me te ndryshme dhe pa dyshim media sidomos elektronike ka nje rol thelbësor.
Mendoj se sot format elektronike të marrjes së informacionit janë ato më të pëlqyerat nga të rinjtë dhe kjo për faktin se jetojmë në një kohë ku teknologjia ecën shpejt dhe të rinjtë e ndjekin më së miri. Ata janë shumë familjarë me rrjetet sociale, me internetin si dhe me motorët e fuqishëm të kërkimit online. Metodat e transmetimit të informacionit me anë të librave, revistave, gazetave apo bisedat me të rritur sot nga të rinjtë konsiderohen të vjetra dhe jo aq të shpejta e efikase sa metodat elektronike. Nisur edhe nga të dhënat e publikuar nga Unicef ku 1/5 e fëmijëve lexojnë libra shumë rrallë dhe më shumë se gjysma e tyre nuk dëgjojnë radio mund të themi se ata preferojnë metodën e tyre te komunikimit. Fakti që nuk dëgjojnë radio nuk do të thotë që nuk dëgjojnë muzikë por që për këtë ata përdorin mjetin I-pod, telefon apo edhe adresa interneti, ndërkohë e njëjta gjë ndodh me librat ku ata dëshirojnë të informohen mbi të rejat apo aktualitetin në botë nëpërmjet faqeve online.
Unë mendoj se media ndikon shumë në zhvillimin e të rinjve dhe në formimin e karakterit dhe personalitetit të tyre pasi është burimi i parë informacioni që arrin nga media ajo që transmetohet të ata. Ajo ndikon pozitivisht për sa kohë është e kontrolluar për moshën e të rinjve dhe përdoret si duhet ndërkohë që ushtron efekt të kundërt një media e pakontrolluar dhe që mund të transmetojë informacion të gabuar apo edhe të dëmshme për moshën e tyre. Pikërisht këtu është roli madhor i prindërve si aktor kryesor në menaxhimin e situatave të caktuara në mënyrën më efikase.
A mendoni se do të ishte më rëndësishme kontrolli i fëmijëve dhe adoleshentëve mbi median?

Absolutisht po, që është e rëndësishme të kontrollohet dhe monitorohet media që përcillet nga të rrinjtë. Sidomos në moshën 6-12 kur fëmija ka shumë nevojë për këshillat e prindit dhe akoma ndjen nevojën të konsultohet me të por edhe në pubertet dhe adoleshencë 12-19 gjatë të cilës ai ndihet më i rritur, me rebel, me antikonformist dhe dëshiron të ketë vendimmarrje. Është pikërisht ky momenti ku duhet të ndërhyet me delikatesë për të monituar nëse fëmijët po marin informacionin që përputhet me moshën. Është pak e vështirë në fakt pasi interneti sot është një botë që hap shumë dyer informacioni dhe vështirë të monitorohet por duhet zgjedhur rruga e mesme e artë ku me adoleshentin të gjesh gjuhën e përbashkët që më vonë të kesh akses edhe në monitorimin e tij mbi median që ai zgjedh të shikojë. Mendoj me TV është pak më e lehtë të monitorohet se interneti kjo për arsye se interneti është me privat. Nisur nga statistikat ku programet me muzikë dhe argëtim janë më të preferuarat për fëmijët mund të arrihen marrëveshje me ta mbi orarin dhe kohëzgjatjen e programeve në raport me gjërat e tjera gjatë ditës. Kjo marrëveshje nuk është e pamundur por prindi duhet të gjejë gjuhën e adoleshentit dhe të kuptojë botën e brendshme të tij.

Sa e rrezikshme është shpërdorimi i kohës së gjatë në media i të rinjve dhe aq më tepër kur ata frekuentojnë gjëra të rrezikshme për ta?

Statistikat tregojnë se gjysma e të anketuarve rrinë rreth 3 orë në ditë dhe 20 % e tyre më tepër duke parë programe në median e preferuar që është TV. Ajo që mund të them është se kjo shifër është e tepruar për moshën e të anketuarve 13-19 vjeç pasi ata kanë nevojë të realizojnë gjatë ditës mësime, argëtim edhe komunikim të suksesshëm. Duke ditur se pjesën e parë të ditës deri në drekë e shpenzojnë në shkollë ngelet pak kohë për pjesën tjetër të jetës së tyre. Mendoj se 3 orë të përditshme në TV japin pasoja për një fëmijë apo adoleshent si lodhje, mungesë vëmendje të mësimet, apati dhe mosdëshirë për aktivitet fizik, dëmtojnë sytë dhe përqendrimin, ulin shanset për komunikim real mes bashkëmoshatarëve dhe reduktojnë komunikimin me prindërit dhe të afërmit. Rreziku rritet së tepërmi nëse gjatë këtyre orëve në media shfaqen programe të orientuara ndaj dhunës (filma të fortë aksion, horror apo me përmbajtje dhune) si dhe programe të papërshtatshme për moshën (pornografi). Kjo bën që fëmija të modeloje dhunën dhe të marrë informacion të papërshtatshme e shumë të dëmshme për moshën që është dhe këtë mund ta ndaje me bashkëmoshatarët duke përhapur kështu rrezikun edhe të fëmijët e tjere. Mendoj se prindi duhet të jetë shumë i përgjegjshëm dhe serioz në tolerimin e programeve mediatike që fëmija sheh dhe të kujdeset ta ndërgjegjësojë atë të mos i frekuentojë këto programe edhe në mungesë të tij. Nëse prindi nuk di ta bëjë këtë gjë duhet patjetër të konsultohet me një profesionist të shkencave përkatëse ose mjafton edhe të lexojë rreth këtyre çështjeve për të gjetur mënyrën e duhur për të monitoruar fëmijën pasi në të kundërt pasojat te fëmija do të jenë shumë të dëmshme dhe vështirë për tu eliminuar.

Studimi i UNICEF, 68% e fëmijëve përdorin internetin

Të rinjtë dhe fëmijët zëvendësojnë mediat tardicionale si televizioni,radioja apo shtypi i shkruar me internetin ndërsa librat i konsiderojnë humbje kohe. Kjo u bë e ditur nga një sondazh i realizuar prej UNICEF dhe Institutit të Medias në shkollat e kryeqytetit. 68 për qind e të anketuarve u shprehën se interneti është shumë i rëndësishëm në jetën e tyre sesa mediat e tjera. Ilda Londo pjesëmarrëse në këtë projekt u shpreh se të rinjtë e përdorin internetin kryesisht për rrjetet sociale.
Detlef Palm përfaqësuesi i UNICEF-it kërkoi që mediat të ndryshojnë e ti kushtojnë më tepër vëmendje të rinjve dhe fëmijëve. Sipas këtij studimi për të cilin janë pyetur 500 fëmijë të moshës 13-18 vjeç nga disa shkolla në kryeqytet rezulton se më shumë se 3/5 e të pyeturve përdorin internetin disa herë në ditë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *