Elena Beta
Një ndër problematikat më të diskutuara gjatë forumit të dytë komunitar “Lëviz për kopshtin tim”, i cili përfshiu kopshtet e njësisë nr. 6, ishte dhe gjendja e kopshtit 34. Gjatë monitorimeve të realizuara në fazën e parë të projektit, rezultoi se ambientet e këtij kopshti kishin nivele të larta myku, gjë e cila konsiderohet si tepër problematike për fëmijët, sidomos për ata të cilat vuajnë nga alergjia.
Për të folur më shumë rreth situatës, si dhe për të nxitur një zgjidhje sa më të shpejtë, shoqata Together for Life’ ftoi në tryezë prindër të këtij kopshti si dhe administratorin e njësisë numër 6, z. Adriatik Merko. Ndër prindërit të cilët kishin fëmijët në këtë kopsht ishte dhe znj. Laviola Davidhi, e cila u shpreh e shqetësuar, duke e konsideruar situatën në kopsht alarmante. Si prind i një fëmije që vuan nga alergjia, i duhet të shkojë çdo muaj në spital, pasi, për shkak kushteve të vështira në kopsht, fëmija i saj është i prirur t’i shtohet alergjia, si dhe të ketë kollë të vazhdueshme.
“A keni qenë ndonjëherë tek kopshti nr. 34? Ju mendoni se ka problematika ai kopsht?
Një nga problematikat që ka ai kopsht është, nga ajo që e dimë të gjithë, 90% e fëmijëve në Tiranë janë alergjikë. Në momentin që fëmija im është alergjik dhe shkon në të ftohtë në kopsht dhe ngrohet me sobë druri, i shton më shumë alergjitë. Edhe mua si prind më ndodh që kur futem dhe marr fëmijën tim aty, më zihet fryma.
E dyta që dua të shpreh. E keni vënë re se si janë klasat dhe dhomat ku flenë fëmijët, që duhet të kalosh nga dhoma e mësimit tek e gjumit, dhe është një tualet për tre grupe me nga 25 fëmijë. Më saktë, 2 tualete për 75 fëmijë. Jetojmë në vitin 2017 edhe kushtet në shtëpi ndoshta nuk janë sipas standardeve evropiane, nuk janë perfekte sepse i dimë shumë mirë kushtet tona të gjithsecilit, por të paktën për fëmijët tanë përpiqemi të bëjmë më të mirën. Bashkëshorti im para 34 vjetësh ka qenë tek ai kopsht dhe sot në vitin 2017 kushtet nuk janë aq ndryshe. Edhe zyrën e drejtoreshës e kam gjetur me vështirësi pasi ishte një dhomë që vetëm zyrë nuk mund të quhej”, vijoi Davidhi duke theksuar se cilido prind që do të ishte në vendin e saj do të reagonte në të njëjtën mënyrë kur bëhet fjalë për shëndetin dhe mirëqënien e fëmijës.
Adriatik Merko, administrator i njësisë numër 6, gjithashtu prind i një fëmije alergjik, u sensibilizua me situatën duke shpjeguar se shqetësimi më i madh në zonën e Kombinatit është kopshti numër 34.
“Ky kopsht është i viteve ‘57-60, shumë i vjetër. Pas viteve të tranzicionit ky kopsht u uzurpua nga familjarë të cilët nuk kishin një vendstrehim. Prandaj 4 familje po jetojnë aktualisht brenda ambienteve të këtij kopshti. Projekti për rindërtimin e kopshtit është gati në momentin që do të strehohen këto familje, pra është një kosto akoma më e madhe për Bashkinë që të sigurojë edhe strehimin e këtyre familjeve. Shpresoj që shumë shpejt makthi i prindërve që kanë sjellë fëmijët në këtë kopsht, të marrë fund” u shpreh Merko.
Aktive në diskutim ishte dhe znj. Silvana Stefa, drejtoresha e kopshtit nr. 34 e cila falënderoi organizatorët për nismën e ndërmarrë.
“Në kopshtin tonë problem kryesor zë uzurpimi i hapësirës së kopshtit nga familjarët. Kryetari i Bashkisë i ka dërguar para 10 ditësh një kërkesë dhe presim një kërkesë nga INUK-u për shembjen e kopshtit dhe shpresojmë ta zgjidhim së shpejti, me datë 8 qershor ne presim leje nga INUK”, theksoi Stefa, duke përmendur sërish rrezikun me të cilin përballen çdo ditë fëmijët në kopshtin 34./shendeti.com.al