Gjatë tri muajve të fundit, kur vendi u përfshi nga pandemia COVID-19, gjithçka u ndal dhe të gjithëve na u desh të përballemi me sfida të paimagjinueshme pak kohë më parë.
Masat e marra nga Qeveria për mbrojtjen e popullatës nga pandemia kishin të bënin me mbylljen e shumë sektorëve të ekonomisë, të shkollave, kopshteve dhe çerdheve. Familjet u ngujuan në shtëpi dhe më fatlumët, të cilët nuk e humbën vendin e punës, vazhduan të punonin nga shtëpia. Nxënësit dhe studentët filluan të adaptoheshin me formën e re të mësimdhënies online, ndërsa fëmijët nga 3-6 vjeç, shkëputën çdo lloj marrëdhënie jo vetëm me shokët, por edhe me edukatorët dhe mësuesit e tyre.
Sfida për prindërit me fëmijë në moshe shkollore dhe parashkollore ka qenë shumë komplekse, në përpjekje për të ekuilibruar punën me kujdesin ndaj fëmijëve dhe, disa prej tyre edhe me përkujdesjen ndaj prindërve të moshuar dhe të vetmuar.
Shoqata ‘Together for Life’, për të siguruar informacion më të plotë rreth problemeve që hasin prindërit me fëmijë 3-6, zhvilloi dhe administroi online një sondazh që zgjati 3 javë dhe në të cilin morën pjesë rreth 200 prindër.
Sondazhi synoi sigurimin e informacionit rreth problemeve të krijuara nga mbyllja e kopshteve në vazhdimin e programit mësimor, ndryshimin e statusit ekonomik të prindërve gjatë pandemisë dhe vështirësitë e tyre për t’iu rikthyer punës para hapjes së kopshteve.
Pyetësori u organizuar në katër seksione me pothuaj nga 6 pyetje secili. 99% e prindërve që kanë filluar të plotësojnë pyetësorin, e kanë përfunduar atë, duke iu përgjigjur 100% të pyetjeve, që tregon interesin e lartë që ky pyetësor ka ngjallur.
Nga analizimi i të dhënave bie në sy se pandemia ka rënduar situatën ekonomike të familjeve, pasi vetëm 40% e personave të përfshirë deklarojnë se të ardhurat e tyre nuk kanë ndryshuar, ndërsa 48% pranojnë se të ardhurat janë ulur, nga të cilët 9% për shkak të humbjes së punës dhe 14 % për shkak të ndërprerjes së marrëdhënieve të punës gjatë kohës së pandemisë. Pjesa tjetër, rreth 25% pranojnë që vazhdojnë të punojnë nga shtëpia, por të ardhurat e tyre janë ulur. 8.2% e prindërve me fëmijë në moshë 3-6 vjeç deklarojnë se gjatë periudhës së pandemisë nuk kanë pasur asnjë të ardhur.
Në të njëjtën logjikë vjen edhe përqindja e prindërve që pranojnë se gjatë kësaj periudhe u kanë plotësuar fëmijëve vetëm nevojat bazike (50%), kundrejt 30% që deklarojnë se edhe gjatë kësaj periudhe fëmijëve u kanë plotësur të njëjta nevoja si më parë, ndërsa 3% që pranojnë se nuk kanë mundësi t’u plotësojnë fëmijëve të tyre as nevojat bazike.
58% e pjesëmarrësve në sondazh kanë pohuar se mos’hapja e kopshteve e ka penguar rikthimin e tyre në punë, që presupozon se sot, me hapjen e kopshteve dhe çerdheve, ata ia janë rikthyer punës.
Por, disa prindër janë treguar skeptik për hapjen e kopshteve, duke deklaruar se nuk do t’i çojnë fëmijët në kopshte edhe sikur të humbin vendin e punës, pasi numri i fëmijë në një grup është shumë i lartë, gjë që shton rrezikun e kthimit të këtyre ambienteve në vatra të reja të COVID19. Një tjetër shqetësim që shfaqin prindërit që kanë humbur punën gjatë kësaj periudhe është që institucionet përkatëse të ndryshojnë rregullat e pranimit të fëmijëve në kopshte dhe çerdhe dhe të ‘mos kërkojnë më dokumente të tilla si, vërtetim pune apo sigurimesh shoqërore’, gjë që do t’i penalizonte atë të regjistronin fëmijën në çerdhe apo kopshte publike.
Hapje e vendit dhe rikthimi në normalitet, gjithsesi, janë një lajm i mirë. Rikthimi në punë tek një pjesë e prindërve që deri tani kanë punuar online pritet të reflektojë edhe në rritjen e të ardhurave në nivelet e para-pandemisë.
Dhe, tani që situata po ndryshon dhe po shkon drejt përmirësimit, të gjithë i kanë sytë nga ekonomia dhe pritshmëria është që të gjithë sektorët t’i rikthehen aktivitetit të plotë, vendet e punës të rikuperohen dhe të ardhurat e familjeve të stabilizohen sërish.
TFL është duke përgatitur një informacion më të plotë rreth gjetjeve të sondazhit, të cilat do t’i prezantojë në ditët në vijim.