TFL prezanton raportin: Asnjë kopsht në Tiranë nuk i plotëson të gjitha standardet fizike

Emanuel Smaka

Tashmë është dokumentuar. Asnjë nga kopshtet e qytetit të Tiranës nuk plotëson standardet fizike të miratuara nga Ministria e Zhvillimit Urban për projektimin e kopshteve.

“Më vjen keq, por duhet ta themi se nuk kemi as edhe 1 kopsht të vetëm i cili i plotëson standardet fizike në masën 100%. Edhe pse këto standarde janë të vendosura nga vetë institucionet, nga vetë ato nuk po zbatohen” – u shpreh drejtoresha e shoqatës “Together for life”, Eglantina Bardhi, në aktivitetin prezantues të raportit mbi monitorimin e kushteve fizike në 43 kopshte të Tiranës.

Gjatë takimit të mbajtur në sallën e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak, përfaqësuesja e Bashkisë Tiranë, Alda Kapllani bëri një panoramë të përgjithshme të shërbimit në kopshte, duke vënë theksin tek numri i lartë i fëmijëve në raport me edukatorët.

“Në disa kopshte të Tiranës – tha Kapllani – numri i lartë i kërkesave për regjistrim ka sjellë që raporti edukator-fëmijë të cenohet dukshëm”.

Më pas, Alma Kordoni, menaxhere e projekteve pranë shoqatës “Together for Life”, prezantoi disa prej gjetjeve kryesore te monitorimit 1 vjeçar.

“Pikë së pari duhet thënë se në asnjërin prej kopshteve nuk është respektuar raporti që 1 edukator të ketë nën monitorim vetëm 15 fëmijë”, tha ajo.

Ndërkohë në monitorim janë evidentuar edhe disa probleme sa i përket energjisë elektrike, furnizimit me ujë, sistemit të kondicionimit dhe kamerave në kopshte.

“Sa i përket seksionit të lehtësirave që ofrohen, kopshti Kodër Kamëz ka probleme me energjinë elektrike. 24% e kopshteve të Tiranës, nga të cilat 9 prej tyre janë pjesë e nismës së re të Bashkisë “Adopto një kopsht”, ofrojnë vetëm ngrohje. Fëmijët e 7 prej kopshteve të monitoruara gjithashtu kanë vetëm ngrohje, por nuk kanë ftohje fare, pra nuk mendohet për stinën e verës.

15% e kopshteve te Tiranës, ku 2 prej të cilave janë pjesë e nismës së re të Bashkisë, nuk kanë ujë të ngrohtë dhe të ftohtë pa ndërprerje. 97.6% e kopshteve nuk kanë gjeneratorë për të siguruar ndriçim alternativ, që do të thotë se në rast defekti nuk kanë mundësi alternative.

92.7% e kopshteve të Tiranës, ku nga këto 23 janë të nismës “Adopto një kopsht”, nuk kanë dalje sigurie. Kopshte pa kamera sigurie që nuk sigurojnë informacion të rrjedhshëm janë 37 prej tyre, ku 24 janë pjesë e nismës ‘Adopto një kopsht”, shkruhet në raport.

Nga ana tjetër, në raport është evidentuar edhe mungesa e informacionit që kanë prindërit në lidhje me mbarëvajtjen e fëmijëve të tyre në kopsht.

“Perceptimi i prindërve nëse ka ndodhur që në ambientet e kopshtit të mos ketë patur drita apo ujë, shohim se përgjigjja “nuk e di” nga prindërit do të thotë se kanë shumë pak interes për të ditur mbi standardet. Gjithashtu rezultatet tregojnë se prindërit nuk kanë informacion mbi higjienën, mbi kujdesin e duhur. Ata nuk e dinë se çfarë ofrohet apo çfarë mund të kërkojnë më shumë.

Më pas fjalën e mori kryetarja e bordit të prindërve pranë kopshtit nr. 11, Manjola Ismailaj, e cila vlerësoi se përveç numrit të lartë të fëmijëve në kopshte, mungesa e mësuesve mbështetës për fëmijët me aftësi të kufizuar si dhe shërbimi për vetëm 3 orë në javë që bëjnë psikologët është i pamjaftueshëm.

“Problematika tjetër është për fëmijët me aftësi të kufizuar. Të paktën sipas kurrikulave, nuk është normale që këta fëmijë të qëndrojnë vetëm, duhen edukatorë mbështetës. Po ashtu, fëmijët kanë nevojë të vazhdueshme për praninë e psikologut” – deklaroi Ismailaj.

Mangësitë në shërbimin psikologjik u pranuan gjithashtu edhe nga psikologja e disa kopshteve në Tiranë, Blerina Hamzaj.

“Unë i kam parashtruar problemet siç i kam marrë nga fëmijët. Prania jonë në kopshte është jo minimale, por thuajse inekzistente. Roli i psikologut përfshin të gjithë aktorët, që janë mësuesit, prindërit dhe punonjësit socialë. Duhet angazhim i përbashkët”.

Ndërkohë, Tefta Haxhiaj, drejtore e njërit prej kopshteve të Tiranës, përveç të tjerave theksoi se duhet të ketë një shtim të hapësirave të jashtme në këto institucione. Po ashtu, ideja e mundësimit të shërbimit psikologjik edhe për prindërit, u vlerësua si e arsyeshme nga anëtari i bordit të prindërve Angjel Kojku.

Këto kërkesa dhe shqetësime u mirëpritën nga deputetja e parlamentit, Floida Kërpaçi, e cila e vlerësoi të arsyeshme se gjetjet kryesore të monitorimit fizik në kopshte duhet të diskutohen edhe në parlament.

“Për çështjen e mësuesve ndihmës ndaj të njëjtin mendim. Në lidhje me gjetjet e monitorimit, unë po mendoja që të bënim edhe një dëgjesë në Komisionin Parlamentar të Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, ku unë bëj pjesë. Kështu që javën e ardhshme ne mund të bëjmë edhe një dëgjesë në Parlamentin e Shqipërisë, së bashku me shoqatën, për t’i ngritur këto shqetësime”- tha deputetja Kërpaçi.

“Prindërit, institucionet dhe shoqatat së bashku – tha deputetja – duhet të bëhen një zë akoma më i fortë për të lobuar për të pasur një buxhet më të madh në vitin 2018 sa i përket investimeve ne kopshte dhe çerdhe”.

Nismës për të vënë në zbatim kërkesat me qëllim rritjen e standardeve në kopshte, iu bashkua anëtari i Këshillit Bashkiak, z. Ardit Çela.

“Duhet të fillojmë që këto gjetje që ne i kemi tek projekti, t’i bëjmë zyrtare. Nëse këto propozime i bëjmë zyrtare, do të kemi një rrugë më të sigurt për arritjen e objektivave. Kështu me nga një përfaqësues nga të gjithë aktorët mund të thërrasim një mbledhje jashtë radhe dhe gjetjet t’i paraqesim si udhërrëfyes për të rritur performancën, pasi realisht është një çështje mjaft sensitive. Kështu mendoj se mund të merret një rrugë më e sigurt për të miratuar një fond më të madh për kopshtet dhe çerdhet”-tha Çela.

Po ashtu, anëtari i Këshillit Bashkiak sugjeroi që Bashkia të shtojë hapësirat e kopshteve, duke kontraktuar ambiente private dhe jo të presë derisa të ndërtohen kopshtet e reja. Kjo sipas Çelës do të zgjidhte përkohësisht problemin e mbingarkesës në institucionet e arsimit parashkollor.

Orjada Tare, përfaqësuese e “Lëviz Albania”, deklaroi para të pranishmëve se aspekti pozitiv i materialit është se nga monitorimi kaloi në buxhetimin me pjesëmarrje.

“Ne duam të nxisim rritjen e investimeve në sektorin e arsimit parashkollor” – deklaroi Tare.

Po ashtu, zëvendësimi i edukatoreve në raste të veçanta ishte një shqetësim i ngritur nga edukatoret. Për këtë përfaqësuesja pranë qendrës ekonomike në Bashkinë Tiranë Enkeleda Isaku, deklaroi se ndryshimet në burime njërëzore akoma nuk janë kompetencë e bashkisë..

“Elementet e burimeve njerëzore nuk janë kompetencë e Bashkisë. Më lejoni t’u them që numri ditor i 38 kopshteve që kanë ushqim është 4838 fëmijë. Trendi sidomos 2 vitet e fundit ka patur ndrysime shumë të mëdha. Patjetër që kopshtet kanë nevojë për shtim të stafit, por nuk kemi të drejtën për të bërë ndryshime”- theksoi Isaku.

Ky ishte takimi i pestë dhe përmbyllës i forumit ”Lëviz për kopshtin Tim”, një projekt i financuar nga “Lëviz Albania” dhe zbatuar nga shoqata “Together for life”.

Gjetjet e plota dhe të detajuara gjatë studimit 1-vjeçar në 43 institucione të arsimit parashkollor janë paraqitur në materialin studimor mbi standardet fizike të kopshteve në Tiranë. Ky projekt vjen si iniciativë për të rritur cilësinë e arsimit parashkollor në kryeqytet, duke nxitur më tepër investime në këtë sektor.

Vlerësimi i kopshteve të Tiranës është bërë në bazë të dokumentit të standardeve të miratuar nga Ministria e Zhvillimit Urban në Shqipëri./ Shendeti.com.al

Standartet__e_projektimit_te_kopshteve

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *