Bisedoi: Elena Beta
Të gjithë e njohim për zërin potent dhe look-un e veçantë që përcjell sa herë ngjitet në skenë, por pakkush e di se Irma Libohova është nga ato artiste, që gjithmonë mbështet kauzat humanitare dhe është tepër e ndjeshme lidhur me aktivitete që kanë të bëjnë me sensibilizimin dhe mirëqënien e njerëzve. Pjesë e rubrikës “Vip Shëndet”, Irma na lejon ta njohim më shumë përtej “petkut VIP”, duke dëshmuar se pas këngëtares të suksesshme, qëndron një amvisë e shkëlqyer, një bashkëshorte e përkushtuar dhe një njeri i thjeshtë dhe i dashur me të gjitha ata që e kanë përkrahur dhe e kanë dashur që nga momenti i parë i ngjitjes në skenë.
Këtë intervistë interesante me plot detaje dhe foto ekskluzive për gazetën “Shëndet+” mund ta ndiqni më poshtë…
Irma, bashkë jemi takuar në një kauzë humanitare ku dhe vendosëm kontaktet për të realizuar intervistën. Sa e ndjeshme është Irma ndaj kauzave të tilla?
Ndaj çdo kauze ku flitet për mirëqenien e njerëzve që janë në nevojë, unë jam e pranishme. Kur kauzat janë me në qendër gratë, atje jam edhe më e pranishme. Lidhur me kauzën e para disa ditëve për sensibilizimin e grave në luftën kundër kancerit, ku dhe ne u takuam, mendoj se për çdo grua, çdo artist do të ishte mirë të ishte pjesë e atij organizimi që u bë. Unë personalisht jam e pranishme pothuajse në çdo aktivitet të tillë.
Ke ndonjë histori me spitalet, ndonjë episod jo fort të mirë që ta shton edhe më shumë ndjeshmërinë?
Situata nëpër spitale sinqerisht më trishton. Të sëmurit apo kujtdo që është në atë hall, i jap asistencë me shpirt. Unë mund të jem një psikologe apo doktoreshë e mirë, por nuk dua t’i përjetoj gjatë situatat e spitalit. Më trishtojnë pa fund.
Dukesh gjithnjë e buzëqeshur dhe shumë e bukur. Është ky tregues i një kujdesi të vazhdueshëm për veten?
Kujdesi i njeriut për vetveten vjen natyrshëm. Nuk të thotë njeri bëj këtë apo atë. Unë besoj se ndjesia për të mirëmbajtur veten dhe për t’u ndjerë mirë me veten, është një ndjesi që më vjen nga brenda. Unë këtë pjesë e kam merak, dua të jem një ditë më mirë se ditën tjetër, asnjëherë mos ta ndryshoj paraqitjen dhe Irmën nga përkujdesi. Buzëqeshja shkon paralel me look-un. Është gjithashtu dhe çështje karakteri. Kur je e kuruar mirë, ke një buzëqeshje të vazhdueshme dhe të bukur, atëherë je në vijën e duhur.
Mendon se bën një jetë të shëndetshme, domethënë a ke kohën që të hash shëndetshëm, të bësh palestër…?
Ka shumë raste që nuk kam kohë të gatuaj atë që duhet por jetesë të shëndetshme bëj. Ajo që është e rëndësishme, nuk shkel disa norma dhe mënyrat e të ushqyerit të cilat janë parimore. Nuk shkel kurrë orën kur duhet të ushqehem, nuk e teproj me ushqimet që nuk më bëjnë mirë dhe nuk janë të shëndetshme sidomos për mua dhe të gjitha gratë e moshës sime. Kam shumë kujdes për ushqimin. Ushqehem shëndetshëm dhe jetoj shëndetshëm.
Është evidente se je në formë perfekte. Bën palestër apo është gjenetike?
Edhe gjenetika edhe palestra janë të dyja njëlloj të rëndësishme për këdo, jo vetëm për mua. Janë një faktor shumë i rëndësishmën, sepse nuk të bëjnë mirë vetëm fizikisht, por të çlirojnë edhe stresin, energjitë negative. Për mua, palestra çliron energji negative po aq sa muzika. Ashtu si të mbush me energji pozitive një tingull apo një këngë, të njëjtën gjë bën edhe palestra. E këshilloj gjithmonë për brezin tim dhe moshën time. Jo ushtrime të forta, jo palestër me intensitet të madh, sepse dhe zemra me kalimin e kohës nuk mund të përballojë shumë. Para disa vitesh edhe unë vetë bëja lëvizje dhe ushtrime më të forta, tani preferoj zumba, e cila është gjimnastike shumë e mirë, si dhe të mëson të vallëzosh.
Ke mbajtur ndonjëherë dietë drastike?
Po, kam mbajtur përpara 10 ose 12 vitesh. Jo dietë të rregullt, por dietë shumë të fortë ku në mënyrë të menjëhershme hoqa bukën, pija vetëm ujë, çaj, kafe, dhe ula në mënyrë të rrufeshme 7-8 kile brenda 1 muaji.
Pate ndonjë problem me shëndetin?
Për fat të mirë jo (qesh), por më pas fillova gradualisht të marr kile dhe të vij në kuotën time. Mbaj mend kur bija për të fjetur dhe ndieja tulet të binin super brinjëve (qesh). Këtë nuk e duroja dot. E kam edhe masë që matem nëse shtoj kile këtë metodë.
Cili është mjeku që takon më shpesh?
Deri tani nuk kam vizituar ndonjë mjek në mënyrë permanente. Mjeku që do të preferoja në të ardhmen, do të ishte mjeku estetist.
Sa e vështirë është të konkurrosh me këngëtare që armë të fortë kanë bukurinë, dhe jo zërin?
Unë kam dëshirë t’i vendos të dyja në një garë, bukurinë edhe zërin dhe të shohim kush do fitojë në fund. Bëj shaka (qesh). Të jesh dhe e bukur dhe njëkohësisht këngëtare e mirë, është luks, por jo të gjitha janë të bukura. Nuk është bukuria kriteri që mat dashurinë, respektin dhe opinionin që ti ke tek të tjerët. Bukuria është një plus, ndërkohë që sot është diçka që mund ta bësh edhe nëse nuk e ke, ndërsa zëri nuk bëhet. Zëri është ose nuk është, nuk e bën as studioja, as gjë tjetër.
Je nga ato artiste që tërheq gjithmonë vëmendjen me look-un e kuruar në detaj në çdo projekt tëndin. Sa e rëndësishme është veshja kur del në skenë?
Unë kam stilin tim dhe jam shumë natyrale. Jam në rregull me pamjen, paraqitjen, normat. Sa për veshjen në skenë, ky është një problem tjetër. Mendoj se veshja e çdo artisti në skenë duhet të kalojë nga dora dhe dera e stilistit. Ne mund të dimë diçka, por nuk dimë shumëçka, gjë e cila është kompetencë e stilistit, rrobaqepëses. Një strukturë e tërë që të orienton ty drejt të bukurës në skenë. Më përpara edhe kam bërë me kokën time, kam gabuar me ndonjë element të tepruar. Tani nuk dal në skenë asnjëherë pa u këshilluar më përpara me stilistin, asnjë aksesor nuk vendos. Është një fije shumë e hollë që ndan karagjozllëkun nga serioziteti, prandaj duhet të tregohet kujdes.Nuk flas për veshjen në përditshmëri të femrave, e cila në fakt lë shumë për të dëshiruar, por fokusohem tek veshja e artistëve në skenë. Ata janë një model, një pasqyrë për gjithë të tjerët që i shohin.
Pse njerëzit i paragjykojnë VIP-at kur i shohin të pagrimuar (pa makijazh)?
Njerëzit i identifikojnë personat VIP gjithmonë ashtu si i shohin ata dhe i duan t’i shohin të bukur gjithmonë, të mirë, të sjellshëm. Gjithmonë një artist që e do, ti do ta shohësh ashtu si ta do zemra ty, siç ndodh dhe me mua për një artist timin të preferuar. Tani qëllon ndonjëherë që mund të jemi të lodhur. Mua personalisht madje më pëlqejnë personazhet vipa që e shfaqin këtë pjesë. Thotë kjo jam tani, ujë dhe sapun, sepse edhe VIP-at janë njerëz si të tjerët. Thjesht për shkak të një talenti të caktuar njerëzit i kanë vendosur etiketimin VIP, gjë që, të them të drejtën, nuk më pëlqen fare.
Të pëlqen të gatuash vetë apo është më mirë kur t’i bëjnë gati?
Jam kuzhiniere shumë e mirë. Është një dimension tjetër imi dashuria për kuzhinën. Mund të them se gatuaj, sajoj, provoj, shpik, i qëndroj gjërave tradicionale. Nuk ka kënaqësi më të madhe se sa të gatuash dhe të gëzosh të tjerët me produktin tënd. Kjo është kënaqësi e pafund. Më pëlqen, sigurisht, të provoj edhe nga dora e të tjerëve, por vetë jam kuzhiniere e mirë, kam dhe mjete shumë të mira, të cilat nuk më lënë të gatuaj me yndyrna. Gjërat e skuqura, gjërat me yndyrë, krokante, në shtëpinë time nuk gatuhen, nuk konsumohen.
Marrëdhënia me duhanin…?
Nuk e kam pirë kurrë. As alkool, as duhan asnjëherë, as nuk i kam provuar madje.
Çfarë mendon se kanë pëlqyer më shumë njerëzit tek ti ?
Aseti im më i çmuar në gjithë personazhin tim është vlerësimi për njerëzit dhe mirësjellja që kam me ta. Unë i dua njerëzit dhe gjithmonë, që kur kam filluar të ndërgjegjësohem në personin tim dhe derisa të mbyll sytë, do të kem qasje pozitive ndaj njerëzve, edhe kjo është e pakthyeshme pasi është çështje karakteriale. Edhe me njerëzit që nuk më duan, sepse jo çdokush mund të të dojë në këtë botë, qasja ime është pozitive. Unë i dua dhe i pranoj ashtu siç janë. Thjesht përpiqem të rrezatoj mirësi e cila në shumicën e rasteve më është kthyer me të njëjtën monedhë. Pastaj e kënduara ose kënga, ndoshta mund të jetë një arsye, si dhe modeli i mirë i familjes mund të jetë një nga arsyet që më vlerësojnë.
Ç’do të thotë për ty lumturi?
Lumturi është të realizohesh në jetë dhe të bësh gjërat që do, t’i fitosh ato me djersë pa lakmuar askënd dhe të kënaqësh me ato që të ka falur Zoti, pa e shtrirë dëshirën deri në makutëri.
“2 shoqe ne dhe duhemi si motra”, një nga duetet që ka lënë gjurmë në muzikën shqiptare… Cilat janë këngët që ti dashuron më shumë, ato të repertorit tënd?
Këngët e mia të preferuara janë baladat, jo këto këngët e vrullshme. Janë pjesë e repertorit tim dhe nuk i shmang, janë shumë të bukura të gjitha. Por, kam një këngë të preferuar “Mëngjese shtatori”, “Tango dashurie” “Një jetë me ty”, “Prap tek ti do vij”. Pastaj është dhe kënga “Kush ka vajza”, e cila dhe më identifikon dhe unë e dua shumë.
Po ti Irma ke vajzë apo djalë?
Unë në fakt kam vetëm një çun (qesh)
Kur do t’ju shohim përsëri në një duet ty dhe Erandën?
Nuk e di. Të kishim pyetur dhe Erandën njëherë a do apo jo? (qesh). Për momentin nuk e kemi një plan të tillë, pasi, nëse do të duhej të bënim një duet, duhej të ishte shumë i mirë. Një gjë sa për të kaluar radhën, është më mirë të mos e bësh. Më mirë një pauzë sesa të hedhësh në treg diçka të vakët. Konkurrenca është bërë shumë e madhe, nuk e di a do mundemi ne të konkurojmë më me zë.
Mbështetja më e madhe?
Bashkëshorti im. Më rri afër, më këshillon, më njeh karakteristikat në gjithë kontraversitetin që karakterizon artistët, është personi që di pjesën më të madhe të gjërave të mia dhe unë e pyes për gjithçka. Falënderoj Zotin që më dha këtë short të mirë.
Një mesazh për ata që të ndjekin dhe të duan?
Duke qenë se është fjala për gazetën “Shëndet+”, mesazhi kryesor që do të jepja për të gjithë, është se ne jemi njerëz që brenda trupit tonë kemi një laborator kimik që vepron dhe ndërvepron. Asgjë nuk është gabim nëse ne bëjmë një kontroll herë pas here. Nëse fshihemi ,nuk e përballojmë dot, është më mirë të përballemi dhe të kontrollohemi. Mua nuk më jep ndjesi të mirë pamja e disa njerëzve kur kanë bark të madh, ndaj u jap këshillë të bëjnë kujdes, pasi nga shëndeti i tepërt vijnë të gjitha problemet. Përveçse estetikisht nuk duken bukur, po dëmtojnë rëndë shëndetin e tyre.