Blerina Hamzai: Lidhja ime shpirtërore me fëmijët dhe psikologjinë

Bisedoi: Elena Beta

Të diplomohej për psikologji dhe të punonte me fëmijët për të është një ëndërr e bërë tashmë realitet. “Lidhja e veçantë që kam me fëmijët, dashuria për ta më ka shtyrë të studioj degën e psikologjisë. Është si diçka shpirtërore, ku çelësi për të qenë i suksesshëm në punën që bën është të vendosesh në pozitat e fëmijëve”. Kështu shprehet Blerina Hamzai, psikologe për kopshtet e njësisë Bashkiake numër 7, lidhur me punën që bën çdo ditë. Shumë e afërt me fëmijët, si dhe në brendësi të problematikave të kopshteve që prej vitit 2013, Blerina rrëfen më shumë lidhur me atë që ndodh pas dyerve të kopshteve. Sa e nevojshme është prania e psikologut në kopshte, si funksionon bashkëpunimi mjek-psikolog, si ndikon numri i lartë i fëmijëve në grup në zhvillimin e tyre. Këto dhe shumë përgjigje të tjera mund t’i lexoni në intervistën më poshtë.

Blerina, çfarë mund të thuash për veten? Kur je diplomuar për Psikologji?

Jam diplomuar në vitin 2012 për Psikologji Këshillimi, niveli Master, në Fakultetin e Shkencave Sociale. Më pas kam punuar me projekte në organizata joqeveritare, ndër të cilat tek Alo 116 si këshilluese për fëmijët e dhunuar e deri tek ata të prekur nga pedofilia. Në vitin 2013 fillova të punoj si psikologe në kopshtet e njësisë bashkiake nr. 7. Unë mbuloj 3 prej kopshteve, ndërsa emërimin e kam në kopshtin nr. 2.

Pse zgjodhe të studioje Psikologji? Çfarë ka të veçantë kjo degë?

Ëndrra ime ka qenë të studioja në Itali, në “La Sapienza”, pasi konsiderohet si një ndër universitetet më të mira për degën e psikologjisë, por në kohën kur unë do shkoja për të vazhduar studimet atje, ndodhi rrotacioni politik dhe nuk u bë e mundur të shkoja. Megjithatë unë e vazhdova ëndrrën time këtu, në Universitetin e Tiranës. Lidhja e veçantë që kam me fëmijët, dashuria për ta më ka shtyrë të bëj këtë zgjedhje.  Është si diçka shpirtërore, ku çelësi për të qenë i suksesshëm në punën që bën është të vendosesh në pozitat e fëmijëve. Shpesh për veprimet e prindërve ndodh të shihet me sy tjetër fëmija, por jo mua nuk më ndodh, asnjë fëmijë nuk e zgjedh dot prindin që ka, fëmija është një qenie e pafajshme në plotë kuptimin e fjalës. Ka prindër që lenë shumë për të dëshiruar, që tek mirëmbajtja e fëmijës, higjiena, e deri tek pika të tjera.

Sa e vërtetë është shprehja se psikologu të lexon vetëm me shikim?

Psikologu të sjell në situatë që ti ta njohësh veten tënde, të ndihmon shumë në këtë aspekt.

Si bëhen emërimet e psikologëve në kopshte?

Pasi u shpall vendi i punës, unë konkurrova. Si fillim je në provë 3 muaj dhe më pas emërohesh  duke parë dhe performancën tënde 3 muajt e provës. Unë momentalisht mbuloj 3 kopshte. Kopshtin 2, 43, 26 dhe për një periudhë 4 mujore kam mbuluar dhe kopshtin 17 i cili ndodhej në të njëjtën godinë me kopshtin 43.

Sa është numri i fëmijëve që mund të mbuloj një psikolog, ka një kriter për këtë?

Numri i fëmijëve që duhet të mbulojë një psikolog duhet të jetë 2000- 2500 fëmijë, unë mbuloj më pak. Kur më dhanë emërimin më pyetën a e mbulon dot edhe një shkollë? Unë rashë dakord që të mbuloja vetëm 3 kopshte cilësisht, jo në sasi. Për mua një psikolog për një kopsht do të ishte ideale, sepse ti ke nevojë ta njohësh mirë fëmijën, të punosh me të. Është hedhur në fakt para 3 vitesh një ide nga Ministria e Arsimit që çdo kopsht të ketë psikologun e vet, por nuk ka kaluar as si projektligj dhe si duket është harruar.

Me sa fëmijë me aftësi ndryshe punoni ju në kopshtet që mbuloni?

Unë aktualisht mbuloj 5 fëmijë me autizëm në 3 kopshte, ku katër fëmijë i kam të përqendruar në një kopsht të cilin e mbuloj vetëm një ditë në javë. Një fëmijë tjetër me autizëm e kam në një kopsht tjetër, kam dhe një fëmijë hiperaktiv me të cilin kam punuar prej 3 vitesh.

Gjatë forumeve komunitare që ne kemi realizuar me përfaqësues të kopshteve, ka rezultuar se në grupe ka fëmijë me aftësi ndryshe edhe 7-8 vjeç. Sa e rrezikshme është kjo për fëmijët e tjerë?

Ndodh që një fëmijë me aftësi ndryshe të ketë zhvillim mendor të barabartë me atë 4 vjeç në moshën 8-vjeçare, pavarësisht se nga zhvillimi trupor dhe nga fuqia mund të jetë njëlloj me një 8 vjeçar. Kjo e bën të rrezikshme dhe një edukatore nuk ja del dot. Në shkolla është vendosur edhe mësuesi ndihmës, kjo gjë është menduar të bëhet dhe në kopshte në mënyrë që të ketë një menaxhim më të mirë por edhe kjo nuk është realizuar akoma, nuk e di arsyen pse. Mund të jetë ana monetare, mungesa e përgatitjes nga ana e mësuesit apo arsye të tjera.

Ju vetë si psikologe, si e gjykoni. A është e mjaftueshme prania e psikologut në kopsht vetëm një herë në javë?

Sikur gjatë gjithë javës të punojë me fëmijët e një kopshti, sërish nuk do të ishte e mjaftueshme. Ka fëmijë me autizëm, fëmijë hiperaktiv apo fëmijë me probleme të ndryshme sociale në familje, fëmijë të dhunuar të cilët kanë nevojë shumë të madhe për një psikolog. Jetojmë në një shoqëri me probleme të theksuara të cilat pasqyrohen shumë tek fëmijët. Një fëmijë do të punosh një orë me atë, vetë, më pas duhet të punosh me fëmijën në grup në mënyrë që ta shohësh në raport me fëmijët e tjerë, duhet ta shohësh se si ushqehet, si luan, si socializohet me fëmijët e tjerë. Në vijim duhet të konsultohesh me prindin dhe edukatoren se çfarë nuk shkon, prandaj 2 fëmijë duan të merresh me ta përgjatë gjithë ditës. Duhet kohë që fëmija të të njohë dhe ty si psikologe, të të pranojë si shoqen e tij më të mirë dhe të ketë aq shumë besim sa të rrëfehet për gjithçka që e shqetëson apo e lumturon. Për fat të mirë unë e kam arritur këtë gjë dhe jam e lumtur.

Sa probabilitet ka që fëmija të shprehet nëse ka diçka që e shqetëson?

Nëse ti di ta trajtosh, mundësitë janë të mëdha që ai të shprehet. Nëse krijon afrimitet dhe sheh tek ty një njeri të besuar, ai komunikon. Mund të them me bindje se ka dhunë në kopshte dhe nuk bëhet asnjë gjë lidhur me parandalimin e këtij problemi. Ditët që vij unë personeli mund të ketë sjellje të shkëlqyer, por nuk e di ç’ndodh 4 ditë të tjera. Ky është dhe problemi më i madh që ne kemi në kopshte, mjafton dhe një shikim kërcënues për t’u konsideruar dhunë. Unë këtë vit në dy muajt e fundit kam hasur 2 raste ku kam identifikuar dhunë. Të dyja më janë raportuar nga prindi, sepse unë për aq pak kohë çfarë të bëja më përpara, të punoja me fëmijën hiperaktiv apo të identifikoja rastet e dhunës tek 50 fëmijët e tjerë të grupit? Madje funksioni im si psikologe merr fund dhe unë kaloj në rolin e dados së fëmijës. Rastet e dhunës që m’u raportuan nga prindi nuk e kuptova as vetë se si u mbyllën. Unë i shkova rastit deri në fund, duke e raportuar në Ministrinë e Arsimit dhe më pas mora vesh që prindi u tërhoq dhe rasti u mbyll. Dhuna në kopshte është katastrofike sepse vazhdon deri kur fëmija rritet dhe pasojat mund të jenë të tmerrshme dhe ndikuese për gjithë jetën e vet.

Si mund ta kuptojmë nëse një fëmijë është i dhunuar?

Fëmija reagon me agresivitet ose me heshtje, me trembje natën në gjumë, pra bën sjellje që nuk i ka në rutinën e përditshme. Ka fëmijë që nuk tregojnë nga frika se do të kthehen sërish në kopsht.

A mendoni se është e nevojshme vendosja e kamerave të sigurisë në kopshte?

Unë jam pro kamerave, madje do të thosha se është e domosdoshme. Është vetë njeriu i tillë, të cilin vetëm frika mund ta frenojë. Unë e shoh tek edukatoret që vijnë nga kopshtet private, sa ndryshe janë krahasuar me edukatoret e kopshteve publike, sepse janë mësuar me kamerat dhe dinë ta menaxhojnë punën, janë edukuar lidhur me menaxhimin e fëmijëve pa dhunë dhe pa të bërtitura.

Bashkëpunimi psikolog – mjek, sa funksionon në kopshtet tona?

Mjeku është pothuajse inekzistent, prandaj bashkëpunimi mund të them se është 0. Unë mjeken e kopshteve të njësisë që mbuloj nuk e njoh, nuk e kam takuar kurrë. Mjeku bën matjen e parametrave dhe, duke testuar butësinë e kokës, mund të shohë diçka që nuk shkon, këtë e bisedon si fillim me psikologen, më pas me instancat e tjera, prandaj bashkëpunimi duhet por ku ta gjejmë?

Çfarë mendon për numrin e madh të fëmijëve në grupe, si ndikon kjo në zhvillimin e tyre?

Nëse një prind duhet të zgjedhë mes regjistrimit të fëmijës në një grup me 50 fëmijë dhe mundësisë për ta mos e çuar në kopsht, do ishte më mirë të zgjidhte alternativën e dytë.  Është me mirë të kujdeset gjyshja se sa të qëndrojë në një ambient me aq shumë frymë për metër katror. Për mendimin tim, zgjidhja më e mirë do të ishte bashkëpunimi me privatin, lidhur me menaxhimin e numrit. Psikologu duhet të mbulojë të paktën 2 kopshte, duhet të jetë prania e punonjësit social, gjë të cilën nuk e kemi, sepse psikologu mund të merret me anën njohëse, ndërsa punonjësi social merret me problemet e familjes që mund të ketë fëmija. Kur e ka çerdhja, imagjino sa i duhet kopshtit.

A është diskriminues stafi i kopshteve lidhur me fëmijët me aftësi ndryshe?

Po, janë diskriminues dhe justifikimi se nuk kanë kapacitete është manipulative nga ana e tyre. Këtë dallim nuk mund ta bësh vetëm me ata fëmijë. Kopshti 26 ka numër të lartë fëmijësh dhe nuk ju jepet prioritet fëmijëve që banojnë në atë zonë, por miqësisë, gjë që nuk është e drejtë. Ç’punë ka fëmija i njësisë nr. 5 në kopshtet e njësisë nr. 7, ndërkohë që fëmijët që banojnë 20 m larg kopshtit nuk regjistrohen?  Një kopsht me 50 fëmijë në grup është fatal për zhvillimin e fëmijës, të flesh në shesh në muajin janar është e tmerrshme.

Cila është qasja e prindërve lidhur me këtë problematikë?

Pjesa më e madhe e prindërve nuk e kanë problem fare që fëmija qëndron 6 orë në ato kushte, mjafton të kenë një vend ku ta lenë. Ndonjëherë habitem kur shoh një egoizëm prindëror kaq të madh.

Çdo psikolog duhet të ketë bazën didaktike në mënyrë që të punojë me fëmijët. Ju e keni në kopshtet ku punoni? 

Mund të them se baza  didaktike është e pamjaftueshme. Kemi vetëm një zyrë të përshtatshme për të punuar vetëm në 1 kopsht. Pas përfshirjes në nismën “Adopto një kopsht”, me shumë këmbëngulje nga ana e drejtoreshës u kthye ambienti i magazinës në zyrë psikologu, të cilën e financoi një bankë private.

Çfarë përfshihet tek mjetet didaktike? 

Plastelina, formueset, mjetet për të realizuar një pikturë. Të gjithë  fëmijët të cilët kanë një problem e shprehin atë nëpërmjet pikturës. Lojërat me kalime, ku ti duhet ta vendosësh fëmijën në pozicion me veten, në pozicion me fëmijët e tjerë, si sillen ata me njëri -tjetrin, si komunikojnë. Ka edhe mjete më fine që janë ato të profesionit.

Nëse një psikolog nuk i ka ato mjete, konsiderohet puna e tij njëlloj efikase?

Në mungesë të këtyre mjeteve, ti mund të punosh vetëm në grup, quhesh një vëzhgues në grup.  Prandaj dhe unë tek kopshti 26 kam ngelur në grup me fëmijët që kam atje. Sado të mundohesh me fëmijën që ka probleme, nuk mund të punosh dot në grup sepse i tërhiqet vëmendja. Unë mundohem t’iu përshtatem në gjithçka, që nga mënyra e veshjes, vishem me ngjyra me rroba që kanë të stampuara personazhe, në mënyrë që të jem sa më afër tyre.

Një mesazh për instancat shtetërore lidhur me kopshtet dhe funksionimin e tyre, ku duhet të ndërhyhet menjëherë?

Ulja e numrit të fëmijëve në grupe, prezenca më e shpeshtë e mjekut dhe psikologut, si dhe shtimi i një punonjësi social janë problematikat më të theksuara për të cilat duhet të ndërhyhet menjëherë në mënyrë që të kemi një arsim parashkollor sa më efikas dhe të rritet një brez sa më i shëndetshëm dhe i aftë në të ardhmen./ Shendeti.com.al

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *