Denata Toçe: Investimi për fëmijët më shton dashurinë

Bisedoi: Elena Beta

Shpesh e shohim si të ftuar në panele të ndryshme televizive, duke argumentuar fenomenet më të mprehta të shoqërisë. Për të tretin vit, pjesë e jurisë se kompeticionit “Power Kids”, psikologia Denata Toçe rrëfen për gazetën “Shëndet+” dilemat e pjesëmarrjes në një program sfidues për brezin e ri. Ajo flet për kushtet që ofron mjedisi shqiptar dhe a janë ato të përshtatshme për të krijuar një familje të re.

Denada, ju njiheni si një nga psikologet e suksesshme në Shqipëri me imazh pozitiv në publik. Duke u bazuar tek ngjarjet e fundit të publikuara në media e televizione, mendon se po përjeton shoqëria shqiptare një krizë morale?

Ma merr mendja se shoqëria shqiptare nuk e ka kaluar asnjëherë krizën morale. Nuk e di nëse shqiptarët e kanë të mirëformuar se çfarë është kriza morale pasi moralin e kanë lidhur me induktimin e një influence indoktrinale, siç ishte partia komuniste dikur dhe si e tillë është prekur celula kryesore e ndërgjegjes, ku ti e lidh ndërgjegjen e moralit tënd dhe rregullit të vendosur nga shoqëria. Nëse shoqëria ka qenë e induktuar nga komunizmi imagjino se sa e depersonalizuar ka qenë krijimi i individit të ri. Për mendimin tim, ky individ i ri shkatërroi ndërgjegjen e njeriut me këtë lloj vunerabiliteti edhe në demokraci. Dhuna dhe agresioni është i pranishëm në të gjitha nivelet, si social, verbal, familjar, psikologjik, ekonomik. Në vendin e punës ti dhunohesh nga maskilizmi, ku ti nuk ke të drejtë të jesh pjesë e gjithpërfshirjes seksore ku femra të ketë të njëjtat të drejta. Duke parë se përfitimet janë jo mertokracie, ti përsëri këtu ke një dhunë dhe çfarëdolloj tranzicioni të kalojmë nëse nuk kalohet një identitet në thelb i shoqërisë, ku të preket thellësisht ndryshimi rrënjësor i thelbit të kësaj shoqërie, nuk mund të ndërtojmë dot një moral të shëndoshë. Që shteti të jetë social dhe të mbrojë ata që janë më vunerabël në shoqëri, fëmijët, gratë, të moshuarit, aftësinë e kufizuar duhet të investojë në këto plandrejtime dhe atëherë do fillojmë të krijojmë një moral. Të gjitha këto mund të realizohen duke i dhënë prioritet jo vetëm politikës si  një katalizator kryesor i jetës personale, familjare dhe shoqërore sepse nëse do të ndodhte kështu mund të them se jemi nisur me këmbën e gabuar. Në fund mund të them se Shqipëria mbetet një vend i pamoralshëm për të premtuar shpresë.

Në këto kushte, sa e vështirë është sot të rritësh një fëmijë në këtë ambient të krijuar?

Është e vështirë dhe shqiptarët janë në një dilemë të jashtëzakonshme sepse duan gjithnjë e më tepër ta shohin Shqipërinë më mirë. Unë e shikoj edhe me prindërit e rinj nga eksperienca ime që të gjithë janë inksigjent, sidomos në fushën e edukimit, duke kërkuar kopshtin më të mirë, institucionet më të mira të edukimit, të gjejnë mundësinë ku këto institucione minimalisht mos të kenë dhunë brenda tyre. Prindërit janë vazhdimisht në kërkim, por është një atmosferë ku mungon profesionalizmi, përditësimi me format e edukimit, ku mungon modeli. Për fëmijët tanë përveç modelit familjar, që në shumë familje shqiptare le për të dëshiruar, pikërisht për këtë çështje identitare, ajo që mua me vjen keq është se mungon dhe modeli social, kjo është frika ime si nënë dhe frika e të gjithë prindërve. E kemi shumë të vështirë t’ju ofrojmë fëmijëve një model social dhe ata të ndjehen krenarë. Unë do të doja që fëmija im të ndjehej krenar që është shqiptar, sepse nga ajo lloj krenarie buron dhe motivimi për të ecur përpara me Shqipërinë dhe për Shqipërinë. Jam e sigurt se prindërit vazhdojnë të kenë shpresë, por jo tek Shqipëria duke menduar se fëmija i tyre do jetë për një farë kohe dhe më mbrapa do të zgjedhin ti edukojnë diku jashtë. Kjo do të thotë se besimi është shuam i pakët duke u nisur dhe nga vetja ime, pasi jam në dilemë lidhur me edukimin e fëmijës tim. Ka shifra të larta që tregojnë se me mijëra studentë dalin nga Shqipëria çdo vit për t’u edukuar jashtë dhe nuk e di nëse një pjesë e mirë e tyre kthehen në Shqipëri, por edhe nëse kthehen, nuk e di se sa hapësira gjejnë këtu. Hapësirat dhe mundësitë këtu janë të limituara.

Shohim shumë të rinj që zgjedhin të ndërtojnë të ardhmen jashtë vendit. Në çfarë këndvështrim e sheh këtë fenomen ?

Shqipëria ka humbur shumë nga rrjedhjet sociale të individëve, por mund të them se ka fituar në disa raste për ata që janë shkolluar jashtë dhe kanë synim të bëjnë diçka për Shqipërinë, por është si puna e asaj shprehjes, kur ti nuk e di çfarë ke fituar e humbet shumë shpejt dhe Shqipëria nuk e ka merituar shumë atë që ka fituar. Ky kast njerëzish që kemi ne në pushtet nuk përputhet me ata të rinj që janë shkolluar jashtë dhe duan të aderojnë dhe të japin diçka për Shqipërinë dhe atmosfera është ende shumë mbytëse edhe pse ka përpjekje. A jemi ne gati për t’i mirëpritur? Për mua është një patologji shumë  e madhe të mos njohësh se çfarë vlerash ke dhe çfarë njerëzish ke. Sot liderët politike duhet të kenë kujdes se çfarë njerëzish afrojnë. Jo domosdoshmërish ai që shkollohet jashtë është më i miri i mundshëm, por ka një potencial që vjen prej institucioneve të edukimit që janë nga më të njohurat në botë që pikërisht i sjell me këtë ndërgjegje. Edhe pse mund të jetë i vetëdijshëm që nga vendi i tij nuk ka marrë asnjë gjë, përsëri ka dëshirën të kthehet dhe ti ofrojë diçka vendit ë tij, kjo pra është ndërgjegjja për të cilën po flas.

Së fundmi ke qenë pjesë e jurisë në edicionin “Power Kids”, sa e rëndësishme është për një fëmijë përballja me sfidat dhe pjesëmarrja në kompeticione (gara) të tilla?

Kur më ka bërë ftesën Ardit Gjebrea për të marrë pjesë në emision, kam qenë pak skeptike. Unë mendoj se çdo fëmijë ka një forcë unike të të qenit ashtu siç është, dikush më shumë dikush më pak. Nëse do të masnim trurin me metër, i vetmi dallim do të ishte koeficienti i inteligjencës pasi secili prej nesh ka një koeficient të ndryshëm. Qëllimi i këtij konkursi nuk ishte që ne të masnim apo të skualifikonim ato që janë më pak apo më shumë inteligjent, kjo më joshi dhe më bëri të jem pjesë e këtij kompeticioni, pikërisht për tu falur atyre fëmijëve pjesëmarrës si dhe atyre që e shohin nga jashtë, modelin. Pra qëllimi është të japim shembuj fëmijësh që shfaqin potencialin e tyre në një lojë ku ka dhe humbës dhe secili prej tyre mund të them se ka humbur me shumë dinjitet. Secili prek tyre ka qenë i preferuari i dikujt, pasi kështu është e ndërtuar rrjedhimisht marrëdhënia sociale. Kjo lojë të fal një eksperiencë të jashtëzakonshme se çdo të thotë të jesh luftarak, pasi jeta është e tillë, një luftë që nuk ka të vrarë, por një luftë që ka të lënduar. Të provosh vetveten, të testosh se sa e mban presionin, lojën është një formë shumë e mirë e të qenit luftarak, kjo është pjesa që më mbushi mendjen të bëhem pjesë e programit “Power Kids”. Në atë lojë nuk ka të skualifikuar por të zgjedhur për të vazhduar konkurrimin, secili prej tyre ka dhënë një shembull shumë të mirë. Në fund fare ne mundohemi të zgjedhim atë model që i përshtatet më së miri shembullit më të mirë për bashkëmoshatarët. Së fundmi ishte Tea, një fëmijë shumë i zgjuar. Arditi punon fort për të gjetur rubrika të cilat janë shembull për kalamajtë, të cilat prekin intelektin  tyre, i nxitin të argumentojnë pa ofenduar konkurrentin, ky është modeli që duam të servirim për bashkëmoshatarët e tyre.

Ka prindër të lënduar nga skualifikimet?

Po, ka pasur edhe të irrituar. Unë sot u jap mesazhin të gjithë atyre prindërve, që ky nuk është kompeticion për t’u dhënë fëmijëve mesazhin e gabuar. Pse ti skualifikove fëmijën tim është pyetja më e gabuar dhe jo edukuese që më është bërë nga një prind me gjithë respektin që kam për ta, sidomos në sy të fëmijës. Ne nuk jemi aty për t’i mësuar fëmijës pse humbe, por për t’i treguar sa e rëndësishme është dhe të humbësh, duke mos nënvleftësuar rëndësinë e fitores. Është mirë që fëmija të mësohet ta kërkojë problematikën brenda vetes duke i dhënë argumentin e vetëm se në lojë ka dhe humbës. Unë do t’iu kërkoja me shumë përulësi prindërve se ka ardhur dita që ata të mësojnë se si fëmijët e tyre në asnjë rast nuk duhet t’i edukojnë se ata janë më të mirët më të zgjuarit.  Të ndërtosh vetëbesimin tek fëmija do të thotë të përballësh fëmijën me realitetin. Aspak ti ulësh, por duke u vënë në pah se duhet të përmirësojnë vetveten çdo ditë dhe e kundërta as ti vësh në pah diçka më tepër se sa duhet, pasi në këtë mënyrë i jep fëmijës një besim që është përtej realitetit. Edhe nënvlerësimi edhe mbivlerësimi të nxjerrin në të njëjtin rezultat.

Mendon që shqiptarët kanë filluar të ndërgjegjësohen lidhur me takimet me psikologun apo vazhdojnë ende ti ndruhen takimeve këshilluese?

Unë mendoj se prindërit e rinj shqiptarë janë shumë të hapur ndaj ardhjes tek psikologu. Kam përshtypjen se kur prindërit janë në hall dhe zgjidhja e tyre familjare bëhet vërtet kritike, drejtohen tek psikologu. Infrastruktura e mënyrës se si punon psikologu në Shqipëri, nuk është shumë mirëorientuese dhe po ta shohësh me vëmendje prindërit nuk kanë një infrastrukturë shumë të mirëdrejtuar nga shërbimet që ofrohen në Shqipëri. Nëse një prindi i ndodh të përballet me një problem emocional me fëmijën jo gjithmonë e ka të qartë se ku duhet të drejtohet. Nëse ka një problem fizik ka shumë mundësi të drejtohet tek pediatri, pra edhe tek pjesa e shëndetit fizik prindërit janë në dilemë se ku duhet të shkojnë. Derisa kemi arritur në pikën e rregullimit të  profesionit të psikologut me anë të urdhrit të psikologut, përpjekjet janë jashtëzakonisht të mira që një ditë të mund të arrijmë ti kemi lehtësisht të identifikueshme shërbimet psikologjike që dhe prindi të dijë ku të drejtohet. Ka plot 30 vjeçar që ndodh të drejtohen tek unë që jam specialiste për problematikat e zhvillimit tek fëmijët dhe nuk ka faj për këtë pasi nuk ka informacion. Media si ju, ndihmojnë shumë njerëzit për të gjetur këtë lloj profilizimi, por nuk janë vetëm mediat që mund ta bëjnë këtë gjë, është organizimi i shëndetësisë në Shqipëri që duhet të ketë një protokoll të caktuar që kur prindi shkon te pediatri, t’i ofrohet një listë të institucioneve ku mund të drejtohet në rast nevoje.

Me gjithë angazhimet e tua profesionale, si arrin të menaxhosh kohën për të qenë pranë fëmijëve, të kalosh kohë me të dashurit e tu?

Unë në fakt nuk bëj një jetë mëmësore apo gruaje tipike, pa e paragjykuar fare jetën tipike të një gruaje. Unë jam munduar që në jetën time t’i ofroj fëmijës tim një model të një prindi i cili punon, përpiqet dhe tregon shumë tepër me veprimet e tij se sa me fjalët. Mendoj se koha cilësore që shpenzoj me fëmijët e mi është shumë më me vlerë se sa koha sasiore që do shpenzoja me të. Kemi një rutinë në mbrëmje me djalin e vogël Samuelin që e shpenzojmë bashkë. Koha me librin, loja e mbrëmjes, ushqyerja, fundjava të cilën padiskutim e kalojmë së bashku. Të gjithë ata që punoj e dinë mirë se fundjava mbetet dita e familjes. Shpeshherë e marr djalin edhe në punë, ku qëndron me kalamajtë duke u njohur më shumë me punën që unë bëj. Ai vjen më ndihmon dhe qëndron me fëmijët që janë në vështirësi dhe kanë nevojë për ndihmë, duke u bërë kështu pjesë komplicite e punës time. Kur shkon në kopsht dhe sheh fëmijët me vështirësi zhvillimi, Samueli ju vesh këpucët, pallton, i asiston, i ushqen, dhe në këtë rast jam shumë krenare për fëmijën tim. Një kohë tjetër shuam cilësore, për të cilën i jam mirënjohëse me jetë, është koha që bashkëshorti im shpenzon me fëmijët, është shumë i dhënë pas tyre, shumë didaktik dhe shumë lojcak. Investimi që ai ka bëtë tek fëmijët ma shton dashurinë për të akoma më tepër.

Mendon se ushqehesh si duhet?

Në fakt unë futem tek ato nëna që kam dhe një ndihmëse në shtëpi e cila më ndihmon në pjesën e amvisës. Nuk e kam fjalën këtu për gatimin, pasi pa modesti mund të them se gatuaj shumë mirë dhe jam krenare që i kam ngjarë babait në këtë pjesë. Ushqimi i shëndetshëm është një investim tjetër shumë i mirë në familje dhe një mënyrë përkujdesje për familjarët e tu. Unë jam nga ato nëna që kam instaluar tek fëmijët e mi dashurinë për perimet, ushqimet vegjetariane. Samueli e konsumon brokolin si të jetë patatina, bizelet si të jenë kokoshka, ka raport jashtëzakonisht shumë të mirë me perimet. Ashtu si unë ha dhe shumë dhe peshkun. Shpesh ja lidh perimet me heronjtë e tij në mënyrë që të ngacmoj fantazinë e tij (qesh), spiderman ha perime prandaj është aq i fortë (qesh).

Ke mbajtur ndonjëherë dietë?

Nuk e mendoja ndonjëherë se do mbaja dietë (qesh). Pas lindjes së djalit pata një mbipeshë jo shumë të përshtatshme në raport me linjat e mia dhe fillova një dietë më shumë të shëndetshme se sa dietë për t’u dobësuar. Unë nuk jam e fiksuar nuk jam pro dietave ekstreme por parapëlqej ushqimin e shëndetshëm me orar dhe me karar. Gjithashtu mendoj se një dietë të rrit mundësitë për të qenë më i pëlqyeshëm nga shoqëria duke të rritur kështu vetëbesimin.

Si e percepton ti lumturinë dhe çfarë të bën të ndjehesh e tillë?

Unë lumturinë e perceptoj si një gjendje të vazhdueshme, si çaste lumturie, jo si diçka që ndodh në mënyrë të përhershme. Njeriu kalon çaste lumturie, të cilat nuk zgjasin shumë por për aq sa zgjasin ja vlen që t’i mbash me vete. Njeriu ja krijon mundësinë vetës për të qenë i lumtur, duhet të kërkojë. Mendoj se kërkesa e vazhdueshme për të qenë i lumtur është lumturia vetë. Kjo është ajo që më bën mua të lumtur kur e kërkoj, kur punoj për të. Çastet e lumturisë bëjnë lumturinë në vetvete.

Një këshillë për lexuesit si mund të mbajmë në balancë mirëqenien trup-mendje?!

Balanca e një jete të qëndrueshme varet shumë nga pritshmëritë, të cilat duhet të jenë sa më realiste. Njeriu kur kërkon të pamundurën është një shqetësim që do ta çojë tek e pamundura. Duhet të kërkosh atë që është e mundur, të realizosh gjërat e vogla që të arrish tek qëllimi final. Në momentin që njeriu ndjen lëkundje është një ide e mirë për të marrë një këshillë të mirë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *