Marsela Çibukaj: Jemi të bukur sepse jemi të veçantë

Bisedoi: Elena Beta

Pas 20 vitesh larg Shqipërisë, ajo erdhi si një nga zërat më të spikatur të “The voice”, për të mos u shkëputur më nga skenat e vendlindjes. “Kur papritur, pas 22 viteve u gjenda përsëri në Shqipëri për të kënduar, pra, për të bërë gjënë që doja më shumë në jetë, mendova se e gjitha kjo kishte një kuptim”, thotë për gazetën “Shëndet+” Marsela Çibukaj. Ajo flet për kujdesin për veten, stilin e preferuar, kontaktin e veçantë me natyrën, ushqimin e preferuar, lidhjen mes muzikës dhe profesionit tjetër të saj: drejtësisë! Të gjitha këto si dhe shumë detaje të tjera interesante mund t’i lexoni në intervistën më poshtë.

Marsela, çfarë është shëndeti për ty?

Është harmonia dhe mirëqenia psiko-fizike e një njeriu në vetvete, me vetveten dhe në raport me çfarë e rrethon. Nuk është thjesht mungesa e sëmundjeve, por është dhe ekuilibri midis çfarë jemi dhe çfarë na rrethon.

Marsela Cibukaj 3

Ke pasur ndonjë problem apo histori me shëndetin që të ka bërë të vlerësosh më shumë çka të është dhënë?

Në familje, siç mund të ketë ndodhur edhe në shumë familje të tjera , kemi pasur sigurisht periudha të vështira . Si çdo gjë e keqe, edhe ajo e përballjes nga afër me një sëmundje, shkakton vuajtje dhe vështirësi. Në këto raste, parësore janë jeta dhe shëndeti. Gjithçka tjetër ridimensionohet, i shikon me një tjetër prespektivë.

Një vajze në karrierë si ty Marsela, sa i del koha të kujdeset si duhet për veten (të ushqehet shëndetshëm, të shkojë në palestër apo të mbajë një dietë të ekuilibruar)?

Kam shumë pak kohë. Jeta është frenetike, është një vrap i shpejtë për të respektuar orare, takime, ndaj dhe koha për të dëgjuar trupin dhe kërkesat e tij është gjithmonë dhe më e paktë. Më pëlqejnë ecjet me qenin, gatimet e mira dhe të shëndetshme, pavarësisht se e ekzagjeroj me sasinë (qesh). Kam nevojë të pafundme të jem në kontakt me natyrën, gjë që fatkeqësisht nuk e  ofrojnë qytetet e mëdha dhe tepër të betonizuar, plot ndotje akustike dhe ambientale. Shpeshherë shoh se kemi ngecur në disa mekanizma jetese që na garantojnë shpeshherë një stil jete të shëndetshme.

Marsela Cibukaj 5

Cili është ushqimi yt i preferuar?

Zarzavatet dhe peshku. Ha rrallë mish, kam vite që jam pothuajse vegjetariane jo vetëm për çështjen e shëndetit, por edhe për çështje etike.

Ti je nga ato figura të rralla “2 në 1” ku përveç vokalit që të karakterizon, të kënaq edhe syrin me stilin e veçantë dhe gjithmonë ndryshe. Sa e vështirë është për një artist/e ti plotësojë të dyja këto komponentë të rëndësishëm?

Nuk është e vështirë, të paktën për mua. Jam gjithmonë vetvetja, më pëlqen në jetë edhe në skenë të ndihem rehat me çfarë vesh. Më pëlqejnë “afro-style”, dhe stili i viteve ’50-’60, rokenroll. Kështu që kërkoj nëpër merkatot “vintage” kur udhëtoj në Evropë për të gjetur gjëra të veçanta dhe shumë të kushtueshme.

Zëri yt i bukur është i trashëguar apo dhuratë e natyrës?

Dhuratë e natyrës me siguri, por edhe pak trashëgimi mendoj. Thonë që një nga gjyshet e mia kishte një zë të ëmbël dhe melodioz, pavarësisht se këtë aftësi e tregonte rrallëherë në festa familjare dhe në mënyrë totalisht amatoreske.

Marsela Cibukaj 6

Duke qenë se performon drejtpërdrejt për orë të tëra, si kujdesesh për zërin në mënyrë që mos të të “tradhtojë”? Ke ndonjë sekret?

Unë kam studiuar teknikë vokale, që më ndihmon për të ruajtur zërin në performanca të shpeshta dhe të gjata. Teknika është e domosdoshme për jetëgjatësinë e profesionit tonë. Kështu që flas pak, pothuajse fare gjatë javës dhe bëj ushtrime vazhdimisht në mënyrë që në fundjavë vokali dhe aparati fonik të jetë i çlodhur dhe i përgatitur.

Ishte “The Voice” që riktheu Marselën në Tiranë… Pas përfundimit të kompeticionit, çfarë të bëri të lije Romën për të jetuar në Tiranë?

Kam një ndikim tepër budist në mënyrën se si i përjetoj përvojat që më rastisin në jetë. Mendoj nuk vijnë pa një arsye. Prandaj kur papritur, pas 22 viteve u gjenda përsëri në Shqipëri për të kënduar, pra për të treguar gjënë që doja të bëja më shumë në jetë, mendova se e gjitha kjo kishte një kuptim, që duhet të njihja më mirë vendin tim tani që isha e rritur dhe t’i jepja atij dhe vetes një mundësi për t’u njohur më mirë. Dhe faktikisht kisha të drejtë, sepse kjo këmbëngulja ime, pavarësisht kompeticioneve të fituara apo të humbura, më solli sukses dhe kënaqësi.

Marsela Cibukaj 7Drejtësi dhe art… Cila peshon më shumë për ty?

Për mua janë të rëndësishme të dyja. Secila në mënyrën e vet. Janë shumë të lidhura me njëra -tjetrën pavarësisht se në impakt të parë duket sikur nuk kanë një pikë takimi. Mjafton të flasim për “të drejtën e autorit” në muzikë apo thjesht për kontratë diskografike dhe kuptojmë që kanë shumë hapësira të përbashkëta.

Kohët e fundit vëmë re një prirje të personave të ekranit për t’iu nënshtuar kirurgjisë plastike. Ç’mendim ke? I ndihmon apo i transformon njerëzit, veçanërisht ata të fushës tënde?

Jam e mendimit që secili është i lirë të bëjë çfarë të dojë me jetën e vet dhe të zgjedhë si të dojë rrugën drejt lumturisë. Por, dhe ka një por (qesh), mua më pëlqen më shumë bukuria natyrale 100% me apo pa imperfeksione. Shpeshherë një hundë më e theksuar apo një rrudhë më tepër me pëlqejnë më shumë, sepse i konsideroj veçanti që e dallojnë nga dikë nga një tjetër. Që e vogël kam qenë e bindur se standardet e bukurisë i vendosim ne, dhe jo parametra të caktuar nga nuk e di kush dhe nuk e di pse.
Jemi të bukur të gjithë, sepse jemi të gjithë të veçantë. Më frikëson kjo moda e transformimit me të njëjtat hundë, të njëjtat buzë e të njëjtat mollëza.

Cili është personi që të ka mbështetur gjithmonë pa kushte?

Me siguri familja, me siguri motra ime. Por në përgjithësi kam qenë me shumë fat, sepse kam pasur miqësi që ende e ruaj, nga të cilët burojnë gjithmonë objektiva dhe sugjerime a këshilla të sinqerta.

Një mesazh për lexuesit e gazetës “Shëndet+”?

I uroj shëndet të gjithëve, uroj të vlerësojnë jetën dhe çfarë ajo na ka dhuruar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *