Bisedoi: Blertina Koka
Merita Hoxha, e lindur në Kukës, e martuar me një vajzë, e diplomuar në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Shkencave Sociale, ka një përvojë të gjatë në institucione të rëndësishme shtetërore dhe shoqëri civile. Gjatë viteve 2006-2009 ajo ka drejtuar Zyrën e Statistikave në Kukës, më pas për katër vite të tjera ka drejtuar Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Kombëtar të Punësimit Kukës. Pozicioni tjetër publik ka vijuar si Administratore Sociale pranë Bashkisë Kukës.
Merita sot është anëtare e Bordit Drejtues të Rrjetit ”Barazi në Vendimmarrje” dhe Drejtoreshë Ekzekutive e Këshillit Rinor Rajonal të qarkut. Ambiciet e saj shkojnë më tej për përfaqësimin e Qarkut të Kukësit, si grua me prejardhje nga ky qark, duke i shtuar mundësitë e njohjes së problematikave dhe forcën e zërit të vajzave dhe grave kuksiane në vendimmarrje. Në këtë intervistë, ajo vjen me një rrëfim të sinqertë për karrierën e saj dhe jetën personale, si e kalon kohën e lirë, përkushtimi ndaj vajzës, Kaltrina dhe angazhimet për të ardhmen.
Merita, ju vini nga një familje modeste, por e respektueshme në Kukës. Sa i vështirë ka qenë rrugëtimi i arritjeve tua profesionale të shënuara deri tani?
Unë jam Merita Hoxha, vajza e Estref dhe Myrvete Hoxhës, dy prindër e njerëz të thjeshtë, familjarë e miq të mirë, të respektuar në rrethin e Kukësit. Fëmijëria ime ka qenë e thjeshtë, por e mbushur me punë e lojëra që në atë kohë të jepnin kënaqësi e vitalitet. Kam bërë një jetë të thjeshtë, por jam rritur në kushte të mira, pasi mamaja ime ka punuar shumë edhe jashtë orarit zyrtar për të plotësuar nevojat tona. Ajo më ka trashëguar dashurinë për punën duke më dhënë mundësinë të zgjedh profesionin që dua dhe të punoj fort për të siguruar kushte të mira për familjen time. Asgjë nuk ka qenë e lehtë, por as e pamundur për t’u realizuar… Kam punuar jashtë mase, edhe pse në disa raste nuk kam përfituar shpërblimin e duhur. Megjithatë e kam bërë në të mirë të punës sime.
Më konkretisht, cila është eksperienca juaj dhe arritjet në institucionet shtetërore dhe shoqëri civile?
Të flasësh për arritjet, unë them se kanë ndikuar shumë faktorë, të cilët kanë bërë që unë të jem kjo që jam sot, në sajë të besimit të fituar dhe punës së vazhdueshme dhe në momentet kur isha shumë e lodhur, punoja për të arritur në ditët që jam sot.
Që në fakultet kam filluar si konsulente teknike pranë AEDP për të krijuar Qeverinë e Nxënësve si një instrument ndihmës për nxënësit, mësuesit dhe prindërit. Vazhdova për 10 vite me emisionin “TROÇ”, një bashkëpunim i UNICEF-it dhe Televizionit Shqiptar. Në këtë emision krijonim kronika të jetës kulturore, sociale dhe ekonomike me fokus të rinjtë dhe problematikat që shqetësonin qytetarët në përgjithësi.
Për të vazhduar në Kukës me emërimin si Drejtore Ekzekutive e Këshillit Rinor Kukës, si një mundësi për të angazhuar të rinjtë si pjesë e jetës aktive të qytetit dhe ndryshimin që sjellin ata në proceset e vendimmarrjes. Në pozicionet e mia të punës, gjithmonë, pikë e fortë, ka qenë kontakti me njerëzit që vinin nga mungesa e nevojave bazë të jetës. Kam punuar në këshillimin e tyre, si dhe jam aktivizuar në kurse të formimit profesional e jam përpjekur të kontribuoj në punët vullnetare të komunitetit. Vlen të theksohet hapja e Zyrës së Parë Rinore në Kukës, si një fryt bashkëpunimi mes Bashkisë Kukës, Zyrës Rajonale të Punësimit dhe UNICEF, me mbështetjen e Ambasadës Spanjolle. Në Zyrën e Punës ishte këshillimi i karrierës që u fut si një projekt pilot i cili rezultoi me sukses, ishte trajnimi i kursit për miniera për herë të parë në Qarkun e Kukësit.
Si pjesë e shoqërisë civile puna dhe investimi im ka qenë i madh për të sjellë ndryshime të cilat i nevojiten një qyteti të vogël si Kukësi. Në atë qytet, kushtet ekonomike dhe sociale sidomos për vajzat dhe gratë bëjnë që të jetë gjithmonë e pargjykuar e nën shënjestrën e opinionin mashkullor. Trajnimet e shumta në fushën e barazisë gjinore, lidershipit dhe gazetarisë investigative më kanë dhënë mundësinë për t’u fuqizuar dhe për të marrë përsipër detyra dhe përgjegjësi që shumë ndryshime në shoqëri mund t’i sjellim bashkë me djemtë dhe burrat.
Nëse një ditë do jeni pjesë e politikës shqiptare me përfaqësimin tuaj si deputete në Kuvendin e Shqipërisë…..
Politika është një proces i rëndësishëm nëse e merr seriozisht për të kontribuar e ndryshuar situatat në favor të komunitet dhe elektoratit që ti do të përfaqësosh. Politika është investim mendor, përdorimi i kapacitetit dhe aftësive që çdo individ ka duke e përdorur për të arritur qëllimet pozitive.
Nuk është e lehtë të jesh grua në një listë me kandidatë me shumicë burrash, në një zonë ku diskriminimi gjinor është akoma i pranishëm dhe ku mendësia që politika është për burra, vazhdon edhe në ditët e sotme. Do të ndihesha e lumtur të përfaqësoja vajzat dhe gratë kuksiane dhe këtë vit isha pranë realizimit të kësaj ëndrre pasi partia e cila më përzgjodhi si të parën në listën e kandidatëve të saj ndonëse u bë pjesë e një kualicioni duke patur kështu zhvendosje të emërimeve të kandidatëve. Megjithatë këtë vit, do të ketë një parlament me pjesëmarrje të një numri më të lartë të grave deputete dhe kjo më gëzon!
Çfarë do të donit të ndryshonit në realitetin shqiptar?
Nëse do të jem një ditë pjesë e Parlamentit Shqiptar, “lufta” ime për të drejtat e fëmijëve mbetet ajo për të cilat uroj që çdo grua e nënë deputete të përpiqet akoma më fort ndaj kësaj kauze. Dhuna e çdo lloj forme ndaj të miturve duhet të ndëshkohet maksimalisht. Rritja e mundësive për gratë dhe vajzat pa pasur ndasi krahinore, fetare apo politike.
Mes shumë angazhimesh profesionale, pjesëmarrëse në trajnime dhe kurse të njëpasnjëshme, gjeni kohën të praktikoni edhe një pasion tuajin. Kopshtarinë! Cila është lidhja juaj me këtë pasion?
Koha ime e lirë është e mbushur me leximin, muzikën dhe kujdesin ndaj luleve. Nga dëshira që kam të kem ballkon me lule, bëra dhe kursin e kopshtarisë pranë qendrës së formimit profesional numër 4 në Tiranë, për të mësuar gjithçka rreth kopshtarisë. Leximi dhe muzika janë dy elemente pa të cilët me duket se gjithçka në këtë botë është e kotë.
Vajza juaj duket të jetë një pikë e fortë mbështetjeje për ju. Sa ju ndjek ajo në aktivitetet tuaja? Na trego pak më shumë për marrëdhënien me të.
Unë kam një vajzë në moshën 10-vjeçare, e cila ka qenë shtysa kryesore që unë të jem pjesë e kandidimit dhe gjithçka ia dedikoj këmbënguljes së saj. Kur Kaltrina lindi, unë isha koordinatore e emisionit “TROÇ” dhe Drejtuese e Zyrës së Statistikave. Ajo ka qenë udhëtare me mua në çdo takim, trajnim e angazhime të ndryshme të miat, sepse e ushqeja me gji, që më lejonte ta kisha pranë vetes. Duke u rritur, ajo dhe unë, u bëmë si shoqe e mike të ngushta e tani ajo është konsulente imja. Gjithsesi, autoriteti im si nënë është i pazëvendësueshëm. Sado shoqe e mike të jemi, raporti prind-fëmijë është një lidhje e ndërsjellë.
Kaltrina është shumë punëtore, ka sens humori dhe e zgjuar. Shpesh ka rolin e protagonistes tek shoqet e saj, por njëkohësisht është edhe shumë altruiste. Dalim bashkë për të bërë blerje e më ndihmon kur gatuaj. Është e vogël, por e kam mësuar të bëhet e zonja e vetes dhe të dijë të bëjë gjëra që ndoshta bashkëmoshatarët e saj nuk do të kishin dëshirë t’i bënin, si kujdesi për veten dhe shtëpinë kur nuk jam unë. Tashmë ajo ka pavarësinë e duhur për t’u kujdesur qoftë edhe në kryerjen e disa detyrave të thjeshta si përgatitja e një tosti apo rregullimi çdo ditë i krevatit të saj.
Cilat kanë qenë për ty figurat frymëzuese, modelet që ke ndjekur për të qenë një grua e suksesshme?
Për mua, shembuj të grave nën të cilat jam rritur e kam marrë nga karakteri i tyre, janë dy gjyshet e mia. Janë cilësitë e vuajtjet që çdo gjyshe ka bërë për mirëedukimin me dashuri të nipërve e mbesave. Dy gjyshet e mia janë modele frymëzimi e burim për forcën që kam sot. Gjyshja nga ana e babait ka qenë një zonjë shumë fisnike dhe dashamirëse me gjithë të afërmit. Sa herë më thoshte “nanë, ndihmoje këtë se është i varfër e të sheh Zoti dhe nëse njerëzit nuk ta dinë”. Ishte shumë e bukur, stili i saj i veshjes, qëndrimi dhe mënyra e ecjes. Edhe pse kam trashëguar disa cilësi të saj, mendoj se fisnikëria është e lindur, dhe jo e fituar. Gjyshja nga ana e mamit ishte më e ashpër, por shumë korrekte në marrëdhënie me të tjerët. Nga ajo mësova si të jem e rregullt dhe të gatuaj. Ajo është nga Shishtaveci, një zonë ku flitet gjuha gorançe. Ajo më mësoi të flas dhe të kuptoj nga ajo gjuhë. Shpeshherë marrim shembuj nga gra të cilat nuk kanë pasur të njëjtin rrugëtim apo mentalitet e vështirësi jete që kanë kaluar gratë shqiptare.
Jetën tuaj profesionale e zhvilloni mes Tiranës dhe Kukësit. A e keni menduar ndonjëherë të largoheni nga ky qytet i vogël për t’u zhvendosur në Tiranë?
Kukësi është një qytet i vogël, por i këndshëm, me njerëz të respektueshëm e me zemër të madhe, nuk më pëlqen të largohem pasi aty kam njerëzit e mi. Një pjesë të jetës e karrierës time e kam nisur dhe dua ta vazhdoj aty. Megjithatë, për arsye të kualifikimeve e kurseve profesionale që ndjek vazhdimisht, jam midis Kukësit e Tiranës, me synimin për t’u kthyer një ditë akoma më aktive dhe kontribute të palodhshme nga ana ime për këtë qytet. Po të kisha mundësi financiare, do të hapja një fasoneri ku gratë dhe vajzat të cilat kanë shumë nevojë për punë e të ardhura ekonomike, të punësoheshin aty.
Mesazhi juaj për të rinjtë shqiptarë….
Të rinjtë janë grupi kryesor për të cilët dua të jap maksimumin e njohurive të mia. Të investosh për të rinjtë, ke investuar të tashmen e të ardhmen e një kombi. Shpesh të rinjve u këshilloj të jenë të vëmendshëm ndaj politikës, e mos ta shohin vetëm si mundësi punësimi. Formimi akademik e profesional duhet të jetë objektivi kryesor i formimit të tyre. Arsimimi i tyre është prioritet në kohët moderne e zhvillimit teknologjik.
Mesazhi juaj për vajzat dhe gratë shqiptare….
Gratë janë një forcë kryesore e jetës politike, ekonomike dhe sociale. Roli i tyre në shoqëri e familje është i patjetërsueshëm. Me vlerat që përfaqësojnë ato krijojnë modele të vajzave dhe grave të suksesshme në shoqërinë shqiptare.
Shpesh them që lufta brenda llojit dhe diskriminimi brenda gjinisë është më i madh krahasuar me llojet e tjera. Shqipëria ka modele të grave të cilat do mbahen mend për një kohë të gjatë në kujtesën e shumë prej nesh. Sa më shumë të jemi të bashkuara në çështjet e barazisë gjinore dhe të përfshira në proceset e vendimmarrjes në shoqëri, aq të lehta do t’i kemi edhe arritjet.