Prindërit e kopshtit nr. 11: Të shtohen mësueset ndihmëse në grupe

Shoqata ‘Together for Life”, në kuadër të projektit rrjeti “Lëviz për kopshtin tim”, zhvilloi dje një diskutim të hapur me prindërit e fëmijëve që frekuentojnë kopshtin nr. 11 në Tiranë. Gjatë diskutimit me prindër, u shtruan problematikat më të mbprehta që shqetësojnë pjesën më të madhe të tyre, si dhe u diskutua lidhur me rekomandimet e nxjerra nga studimi i publikuar.

Në ambientet e kopshtit u ngrit një kënd, ku prindërit dhanë sugjerimet e tyre lidhur me zgjidhjen e problematikave shqetësuese. Një nga më të theksuarat ishte dhe numri i lartë i fëmijëve në kopshte, numri i ulët i edukatoreve dhe hapësira e vogël në klasa.

“Unë si prind e shikoj problem serioz pjesën e 50 apo më shumë fëmijëve në një klasë. Ne i sjellim fëmijët në kopësht jo thjesht sa për t’i lënë diku, por me qëllimin që të fillojnë të hedhin hapat e para drejt dijes. Tani më thoni ju, 1 mësuese me 50 fëmijë, a ka mundësi fëmija të marrë më të mirën?”, tha një prej prindërve që morri pjesë në këndin e diskutimeve.

E ndërsa tjetër prind i pranishëm në diskutim theksoi faktin  eungesës të mësueseve ndihmëse duke thelluar edhe më tej problemin.

“Që nuk po ndërtohen kopshte të reja po e shohim të gjithë, por ndërkohë vazhdon të ketë mungesa të mësueseve ndihmëse. Po si mund ta mbajë një klasë plot me fëmijë një mësuese. Është e pamundur”

Gjatë diskutimeve u mbështet ideja për largimin e grupit të tretë të fëmijëve nga kopshti dhe vendosjen e tyre në parashkollor. “Mesa mbajmë mend, kjo procedurë është diskutuar në Bashki vitin e kaluar, sikur të bëhet realitet, situata  mund të përmirësohej disi”, thanë prindërit e pranishëm në takim.

Drejtuesja e kopshtit, znj. Katerina Grabova shprehu mbështetjen e saj lidhur me çdo nismë që mund të ndikojë sadopak në përmirësimin e kushteve për mirëarsimimin e e të vegjëlve që frekuentojnë kopshtin./kopshtiim.al

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *