Një vaksinë e re i shtohet kalendarit të vaksinimit për fëmijë

Rotaviruset janë një nga shkaqet më të shpeshta të sëmundjes së rëndë të diarresë tek fëmijët e vegjël. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në vitin 2013 rreth 215 000 fëmijë nën moshën 5 vjeç ndërruan jetë brenda një viti si pasojë e infeksioneve të rotavirusit. Pjesa më e madhe e këtyre fëmijëve jetonin në vende me zhvillim të ulët ekonomik.

4 vaksinat rotavirus konsiderohen si mjaft efikase në parandalimin e sëmundjet së rëndë gastrointestinale. OBSH rekomandon që vaksinat rotavirus të përfshihen në të gjitha programet kombëtare të imunizimit. OBSH vazhdon të rekomandojë që doza e parë e vaksinës së rotavirusit duhet të jepet pas 6 javëve të para të lindjes, së bashku me vaksinën DTP.

Në vendin tonë vaksina e re e rotavirusit është shtuar këtë muaj në kalendarin e vaksinimit, duke përafruar kalendarin tonë të vaksinimit me kalendarin europian.

Në shumicën e vendeve ku është aplikuar vaksina ndaj rotavirusit janë ulur në mënyrë dramatike shtrimet në spital dhe vizitat urgjente të fëmijëve. Vaksinimi me këtë vaksinë është falas si pjesë e programit kombëtar të vaksinimit dhe ka filluar në datën 1 tetor 2019, për të gjithë fëmijët e lindur që nga data 1 gusht 2019.

Rotavirusi mund të shkaktojë diarre të rëndë, të vjella, ethe dhe dhimbje barku. Disa fëmijë me sëmundje rotavirusi humbasin shumë lëngje dhe bëhen shumë të dehidratuar. Një fëmijë mund të marrë rotavirusin aksidentalisht nga një fëmijë tjetër që ka rotavirus. Kjo mund të ndodhë nëse një fëmijë vendos në gojë duart e palara ose një objekt, ushqim ose lëngje të kontaminuara. Me futjen e vaksinës së re, kalendari I vaksinimit ka 12 vaksina të detyrueshme për fëmijët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *