Bisedoi: Denisa Canameti
Quhet Erda Qorri. Ka mbaruar studimet e larta për Stomatologji në Fakultetin e Mjekësisë Dentare, në Bukuresht, Rumani, dhe po atje ka mbaruar edhe studimet pas universitare në Kirurgjinë dento-alveolare. Mesatarja shumë e lartë dhe dosja e shkëlqyer e viteve të studimit e favorizuan Erdën që të fitojë një bursë studimi për doktoraturë pranë departamentit të periodontologjisë së këtij fakulteti. Pas thuajse 13 vitesh studimi kthehet në Tiranë me dëshirën e madhe për të realizuar në vendin e vet çdo njohuri të fituar gjatë viteve të studimit universitar dhe pasuniversitar në Bukuresht. Në një intervistë për gazetën “Shëndet+”, Erda – sot dekane e një prej universiteteve më të njohura private (“Albanian University”), rrëfen gjithë rrugëtimin e saj që prej kohës kur erdhi në Tiranë: arsyet e kthimit në Shqipëri, vështirësitë e përshtatjes me tregun e punës, mungesat e shumta në familje etj.
Profesoreshë, ju keni studiuar shumë vite jashtë Shqipërisë. Çfarë ju ka motivuar të ktheheshit sërish? Ndonjë ofertë tunduese apo ideali?
Jam larguar nga Shqipëria në vitin ‘97-n, që të gjithë e dinë se ç’periudhë të vështiërë kalonte vendi ynë. Gjithsesi, unë u largova nga vendi im për të vazhduar studimet e larta në Rumani në degën e stomatologjisë dhe që për fatin tim të mirë, studimet e mia vazhduan aty edhe për studimet pasuniversitare, duke punuar dhe mbrojtur doktoraturën. Që kur u largova nga vendi im nuk më ka shkuar mendja asnjë moment që pas studimeve të qëndroja në Rumani, por përkundrazi mendimi dhe dëshira ka qenë për t’u kthyer në vendin tim, pranë familjes dhe shoqërisë sime për të sjellë këtu gjithçka pozitive që do të arrija gjatë periudhës së studimeve.
Dhe realisht, u ktheva pas shumë vitesh studimi me një tjetër mentalitet e ritëm jete, me një kulturë tjetër jetese dhe të menduari me shumë ëndrra dhe dëshira, por edhe me mjaft pasiguri e stepje. Besoj se mund ta imagjinoni këtë sfidë, që një vajzë nga Elbasani e cila kishte studiuar jashtë shtetit, në Bukuresht , kthehej të jetonte jo më pranë shtëpisë së vet, por në Tiranë ku nuk kisha jetuar asnjëherë dhe nuk dija madje as rrugët e saj. Kjo ishte një sfidë e dyfishtë, sepse për më tepër, u ktheva me një fëmijë të vogël, vajzën Ledian, që ishte vetëm 40-ditëshe dhe që ma kishte zbukuruar jetën . Natyrisht që në të gjithë këto
vendimmarrje kam pasur një përkrahje pa mëdyshje te bashkëshortit tim, Bledit, i cili gjithashtu ishte me studime në Bukuresht për gjinekologji dhe që u kthyem në Atdhe të dy së bashku.
Gjete atë që prisje? U tregua miqësore Shqipëria me ty?
Eshtë e vetëkuptueshme që në momentet e para të kthimit kam pasur vështirësi të akomodimit familjar si dhe atë të punës. Mund të them që fletë-aplikime kam plotësuar mjaft, në kërkim të një vendi të përshtatshëm pune , që të përputhej me kualifikimin tim si dhe me dëshirat dhe ëndrrat e mia profesionale dhe shoqërore. Dhe pas disa përpjekjesh, mendoj se kam gjetur vendin e duhur të punës, pranë Albanian University, një institucioni prestigjioz i arsimit të lartë privat, në të cilin m’u dha në vijimësi mundësia për të realizuar gradualisht dëshirat e mia profesionale si pedagogjike , ashtu edhe ato mjekësore të specialitetit.
Beson se të qenët grua ështe një arsye që vonon integrimin tuaj në tregun e punës?
Duke vlerësuar se kam një karakter të fortë, nuk kam menduar ndonjëherë që të qenit grua do të ishte faktori që do të më penalizonte në ndërtimin e të ardhmes sime këtu. Di të them që rruga në të cilën kam ecur, nuk ka qenë fushë me lule, por përkundrazi ka qenë shumë e vështirë. E kam nisur nga gjërat më të thjeshta. Kam punuar stomatologe me një orar të kufizuar në klinika dentare. Por me këmbëngulje dhe besim dhe duke treguar kapacitetet e mia profesionale dhe menaxhuese, domethënë atë që isha vërtet dhe duke pasur edhe njerëz që më mbështetën, kam ecur gradualisht me hapa të vegjël, por të sigurt.
Me hapa të vegjël drejt një posti të madh. Si e gjen veten në një post drejtues dhe për më tepër në një institucion arsimor?
Përgjegjësia është shumë e madhe. Roli që kam, mbart shumë përgjegjësi. Mund të them që është një rol i vështirë dhe më ha tmerrësisht shumë kohë nga jeta ime private. Është sakrificë. Por është një punë që më pëlqen. E bëj me pasion, përkushtim. Siç thashë, kur ecën me hapa të vegjël dhe fillon e ndërton disa gjëra, atëherë mbështetesh fort tek ato, sepse themelet janë të qëndrueshme. Të ngelet vetëm të ecësh përpara duke konsolidosh ato që ke ndërtuar. Mendoj se sakrificat që kërkon të bësh këtë punë drejtuese janë të domosdoshme, por që balancohen me kënaqësinë që merr nga ambienti i punës, kolegët dhe sidomos studentët dhe për këtë jam falënderuese ndaj tyre .
Krahas kohës, çfarë të është dashur të sakrifikosh tjetër?
Realisht sakrificë është ajo çka humb familja ime prej meje, kohën. Do të thotë që për të mbaruar doktoraturën, më është dashur të largohem nga shtëpia dhe kam lënë vajzën e vogël për kohë të gjatë. Gjithashtu, ecja përpara ka kërkuar një angazhim dhe orë të zgjatura në punë dhe pa mbështetjen e familjes do të ishte e vështirë të isha këtu ku jam sot. Në fakt, është një arritje e bukur, por e vështirë.
Çfarë e kënaq egon e një gruaje në botën e biznesit? Thuhet se bota e biznesit është bota e burrave…
Vetë struktura ku jam unë tani ka qenë e udhëhequr nga burrat. Ka pasur vetëm figura mashkullore. Më është dukur e paarritshme që të shkoja në gjurmët e disa njerëzve që i kam vlerësuar për profesionalizmin që kanë pasur dhe atë që kanë përfaqësuar. Normalisht, kur arrin atje ku mendon që është e paarritshme, është kënaqësia më e madhe. Nga këtu mbart të gjitha frikërat sesa mirë do t’ia dalësh duke qenë kompetitive me figurat mashkullore. Gjithsesi, mendoj se shoqëria shqiptare ka evoluar për mirë në raport me besimin ndaj gruas në shoqëri. Dhe për këtë ka shembuj të shumtë në jetën tonë shoqërore, duke përfshirë Universitetin tonë ku gjinia femërore është vlerësuar të drejtojë Rektoratin, Dekanatin dhe shumë Departamente, gjë që mendoj se është shumë pozitive në kuadër të emancipimit të shoqërisë sonë.
Është tipike e vajzave që të ndjekin një model. Ju keni pasur ndonjë model që keni dashur ta arrini ose t’i ngjani?
Nuk kam vetëm një model, por figura të ndryshme femrash të suksesshme dhe të forta më kane frymëzuar në karrierën time duke fillur nga nëna ime e cila ka qenë drejtuese në Bankë. Sigurisht që ka shembuj të shumtë femrash nga vendi dhe bota, nga politika, arti dhe shkenca që mund t’i marrësh si pika reference për t’u frymëzuar në jetën dhe karrierën profesionale personale .
Gra që mbështesin gra…
Po solidariteti midis femrave është i rëndësishëm dhe këtë e kam gjetur tek gra që të mbështesin në punët shkencore, në fushën profesionale, në bashkëpunime akademike ndërkombëtare, në organizuese kongresesh dhe konferencash shkencore. Është bukur kur në të gjitha këto fusha gjen zonja të afirmuara që mbështesin njëra-tjetrën, dhe jo vetëm gati për të ndihmuar shoqërinë dhe komunitetin. Shembuj të tillë mund të gjesh edhe në universitetin tonë me figura femërore që i bëjnë nder aktiviteteve kombëtare dhe ndërkombëtare, kur i sheh ato në këto aktivitete të barabarta me kolegët e tyre nga vendet e tjera me të cilat ka lidhje të ngushta universiteti ynë.
Në institucionin që drejtoni, jeni në përballje me të rinjtë. Sa besim përcjell figura juaj kur ata vijnë në fillim të vitit për t’u regjistruar?
Në institucionin ku unë drejtoj të rinjtë kanë pasur dhe kanë një rol të rëndësishëm. Pavarësisht moshës së re ata përkrahen duke pasur edhe funksione drejtuese, kjo mbështetur në formimet e tyre akademike sidomos në universitetet europiane. Pikërisht, favorizuar nga mosha e re edhe komunikimi me studentët është më i lehtë dhe nga ana e tyre ata ndihen më komodë si për zgjidhjen e problematikave, por edhe inkurajohen. Inkurajohen pasi kuptojnë që duke qenë seriozë dhe kërkues gjatë formimit të tyre do të kenë mundësi të afirmohen në fushat ku ata studiojnë.
Pse mendoni që administratorët e kanë marrë këtë “risk” duke ju zgjedhur ju, dhe jo një figurë tipike mashkullore autoritare?
Duke pasur si specialitet kirurgjinë orale, jam mësuar të zgjidh situata të ndërlikuara profesionale, të cilat kërkojnë intuitë, përvojë dhe kapacitet vendimmarrës. Këto pjesë të karakterit profesional të kombinuara me një natyrë shumë komunikuese më kanë ndihmuar të spikas në zgjidhjen e situatave të ndryshme edhe kur ato kanë qenë ndërdisiplinore. Këto cilësi mendoj se kanë ndikuar që të vlerësohem duke m’u ngarkuar një post i rëndësishëm drejtues, të cilin përpiqem maksimalisht ta kryej me një përkushtim dhe cilësi sa më të lartë.
A mendoni se ecuria e një institucioni është më e mirë kur e drejton një grua?
Në radhë të parë duhet të jesh shumë i ndërgjegjshëm për pozicionin që ke dhe përgjegjësitë që ai mbart. Mendoj se një grua drejton me drejtësi, me përkushtim, pse jo një institucion mund të ecë shumë mirë përpara kur e drejton një grua.Sot në rrafshin jo vetëm të vendit tonë, por edhe më gjerë në vendet evropiane dhe më tej ka plot shembuj grash që mbajnë poste të rëndësishme, madje shumë të larta drejtimi si shtetëror, ashtu edhe në biznes.
Për sa u përket vajzave të reja me të cilat keni kontakt të përditshëm, sa të interesuara i shikoni për të investuar cilësisht në formimin e tyre?
Vajzat sot i shoh më ambicioze, kërkuese si ndaj dijeve edhe rezultateve, që do të thotë që gjithçka mësojnë nga ana teorike kërkojnë t’i zbatojnë në laboratorë e praktika, sepse është i tillë edhe profili i fakultetit ku ne jemi.
Si e vlerësoni pozicionin e gruas sot dhe a ka shumë mundësi reale për to?
Sikurse ju përmenda më sipër, mentaliteti është pak i ngurtë, por ka filluar të ndryshoje . Nuk mund të them që është pozicion inferior, sepse gratë kanë treguar që mund të arrijnë në pozicione shumë të larta me forcat e veta. Unë nuk e ndiej këtë frustrim të gruas. Edhe nëpër departamente këtu ka gra. Brenda këtij institucioni janë mbështetur. Nëse është parë se kanë kapacitetin e duhur, nuk iu është vënë pengesë për të shkuar në pozicionin që kanë dashur. Ajo çfarë mund të them për vendin tonë, është se duhet të ndryshojë akoma më shumë dhe më shpejt mendësia e një burri që punon përkrah grave dhe që thotë: “Hajt se këtë punë e ka marrë në dorë një grua dhe nuk ka për të mbaruar ndonjëherë”, sepse kjo nuk është e vërtetë, përkundrazi.
Në fakt, shpesh edhe gratë vetë e vënë veten në pozicion inferior për t’u justifikuar…
Në kohën që jetojmë, nuk mund ta justifikojmë veten me “unë jam grua dhe kjo nuk është për mua”. Mendoj që çdo lloj gjëje që është në kurriz të gruas, duhet të suportohet. E rëndësishme është që gruaja të edukohet, të arrijë të ketë një pavarësi nga ana kulturore, pra që të ketë një shkollim që të mund t’i japë një pavarësi ekonomike. Në këto kushte kanë për ta parë që nuk do të ndihen më kurrë inferiore ndaj burrave. Nëse do të investojnë për të ngritur nivelin kulturor, të jeni të sigurt që do të ngrihet niveli social dhe kështu do të bëhen më të pavarura dhe nuk do të jenë më të detyruara të durojnë frustrimet./